Arbëri

Korporata financiare amerikane pret realizimin e zotimeve, Qeveria s’i përmend

Foto: Reuters

Korporata Ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar pret nga Kosova dhe Serbia përkushtim në realizimin e investimeve, të cilat janë pjesë e marrëveshjes për “normalizim ekonomik”. Dokumentet e nënshkruara nga Kosova dhe Serbia shtatorin e vitit të kaluar përmbajnë disa projekte që ndërlidhen me ndërtimin e autostradave dhe hekurudhave. Ambasada amerikane konfirmoi së fundi se këto projekte i mbështet edhe administrata aktuale e presidentit Biden.

Por në programin qeverisës nuk përmenden këto projekte e as zotimet e tjera.

Bashkëpunimi me SHBA-në përmendet në kontekst të politikës së jashtme, ku Qeveria zotohet për bashkëpunimin në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

“Politika e jashtme e Republikës së Kosovës synon forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës, dhe për arritjen e këtij synimi do të jetë e pavarur, serioze, e parashikueshme dhe e guximshme, si dhe bashkëpunuese me aleatët e miqtë tanë – ShBA-në dhe vendet e BE-së”, shkruan në programin qeverisës.

Por dokumentet e Washingtonit janë specifike dhe mes tjerash theksojnë zbatimin e marrëveshjes për autostradën Beograd-Prishtinë dhe marrëveshjen hekurudhore Beograd-Prishtinë, të nënshkruara më 14 shkurt 2020.

Përveç kësaj, palët ishin zotuar të angazhohen për një studim të përbashkët fizibiliteti mbi opsionet për lidhjen e infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port të detit në Adriatik

“Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen e autostradës Beograd-Prishtinë të nënshkruar më parë, më 14 shkurt, 2020. Të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen hekurudhore Beograd-Prishtinë të nënshkruar më parë, më 14 shkurt, 2020. Përveç kësaj, të dyja palët do të angazhohen për një studim të përbashkët fizibiliteti mbi opsionet për lidhjen e infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port të detit të thellë në Adriatik”, është shkruar në Marrëveshjen e Washingtonit.

Dy javë pas arritjes së marrëveshjes, një delegacion i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i udhëhequr nga kryeshefi i Korporatës Financiare, Adam Boehler dhe ish-emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell vizituan Kosovën. Ata premtuan mbi 1 miliard euro investime për projektin e Autostradës së Paqes, hekurudhave dhe Qendrës së Skijimit në Brezovicë.

Me gjithë ndryshimet në administratën amerikane, në Agjencinë federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë thënë se po punohet me Departamentin e Shtetit dhe Kongresin në strategjinë e përgjithshme edhe nën administratën e presidentit të ri amerikan, Joe Biden.

“DFC është e fokusuar fuqishëm në angazhimin tonë. Ekspertët tanë financiarë në Washington do të vazhdojnë thellimin e bashkëpunimit me përfaqësuesit dhe partnerët tanë në rajon për të identifikuar mundësitë premtuese të investimeve në Ballkan dhe Egje”, thuhet nga DFC.

Korporata Financiare ishte themeluar në vitin 2018 gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump. Në shtator të 2020-s, kjo korporatë hapi zyrën e parë rajonale në Beograd, si pjesë e Marrëveshjes së Washingtonit.

Por me ardhjen e Bidenit në krye të SHBA-së, ndryshimet kishin prekur edhe menaxhmentin e Korporatës Financiare. Kjo Korporatë e shkarkoi drejtorin e zyrës rajonale për Ballkanin Perëndimor në Beograd, John Jovanoviq.