Arbëri

Kontestohet dispozita që u jep fuqi deputetëve ta shkarkojnë ministrin

Me draftrregulloren e cila ka kaluar në shqyrtim të parë, deputetët synojnë t’i japin vetes kompetencë që t’i vendosin në mocion votëbesimi edhe anëtarët e kabinetit qeverisës individualisht. Kjo rrethanë nuk parashihet në Kushtetutë e as me rregulloren aktuale të Kuvendit, e cila mocionin e mosbesimit e definon për qeverinë në tërësi. Juristët thonë se futja e një dispozite të tilla është kundërkushtetuese dhe e prish balancën mes pushteteve në vend. Deputetët arsyetohen se draftrregullorja është trashëguar ndër legjislatura dhe pranojnë se ka keqinterpretim të Kushtetutës

Futja e një dispozite në draftrregulloren e re të Kuvendit, sipas së cilës mocioni mosbesimi mund të ngrihet individualisht edhe ndaj anëtarëve të qeverisë, vlerësohet të jetë kundërkushtetues.

Dispozita e tillë nuk ekziston në rregulloren aktuale, që parasheh mocion mosbesimi ndaj kryeministrit. Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, ajo konsiderohet në dorëheqje.

Por në projektrregulloren e cila ka kaluar në shqyrtim të parë, nenit përkatës i është shtuar edhe dispozita që flet për anëtarët e kabinetit.

“Rregullat dhe procedurat e përcaktuara me këtë nen për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, vlejnë edhe për ngritjen mocionit individual të mosbesimit ndaj një anëtari të Qeverisë, me përjashtim të paragrafit 4 të këtij neni”, thotë neni 94, pika 5.

Përjashtimi u referohet rasteve kur mocioni votohet për qeverinë në tërësi, e cila rrjedhimisht konsiderohet në dorëheqje.

Por ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se një dispozitë e tillë është në kundërshtim me natyrën e Kushtetutës dhe rregullorja do të hidhej poshtë nëse përfundon në Kushtetuese.

“Sipas Kushtetutës sonë, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë dhe në qoftë se përfundon në Gjykatë Kushtetuese, meqenëse rregullorja është një prej akteve juridike që krahas ligjit, përmendet në mënyrë shprehimore në Kushtetutë, jam shumë i sigurt që përmbajtja e vendimit për miratimin e saj do të hidhej poshtë. Në disa vende e sisteme kushtetuese ekziston një mundësi e tillë, por te ne kjo nuk mund të bëhet”, ka theksuar Hasani.

Ai ka shtuar se ministrat kanë përgjegjësi kur bëhet emërimi i tyre në paketë bashkë me shefin e Qeverisë.

“Më pastaj nuk i nënshtrohen një kontrolli, për pasojë, edhe shkarkimi ose ngritja e mocioneve të mosbesimit ndaj tyre është e pakuptimtë, është jashtë fizionomisë së qeverisjes parlamentare në Kosovë”, ka deklaruar Hasani. “Qartë, një dispozitë e tillë rrit atë që quhet në të drejtën kushtetuese krahasuese-pushtetet diktatoriale të ekzekutivit kosovar, që është në kundërshtim me natyrën e sistemit kushtetues ose sistemit të përgjithshëm juridik kushtetues të Republikës së Kosovës dhe prish balancat e demokracisë kushtetuese, sepse e bën të pasigurt qeverisjen parlamentare në vend”.

Sipas Hasanit, dorëheqja e shefit të qeverisë ose mosbesimi ndaj tij, tërheq në vetvete rrëzimin e qeverisë si tërësi.

“Kjo është pika e fundit ose pragu i fizionomisë së qeverisjes parlamentare në Kosovë. Çdo futje e tillë është uzurpim i pushteteve diktatoriale dhe abuzim me pushtetin”, ka potencuar ai.

Kryetari i Komisionit për legjislacion, Adnan Rrustemi, e ka pranuar se kjo dispozitë nuk e ka vendin në rregullore, teksa ka paralajmëruar ndryshimet në lexim të dytë.

“Në rregullimin tonë kushtetues nuk parashihet mundësia e as e drejta e Kuvendit për mocion të mosbesimit ndaj ministrit. Ka vende që e njohin, por jo Kushtetuta jonë. Draftrregullorja është trashëguar ndër legjislatura dhe duket që është keqinterpretuar paragrafi 6 i Kushtetutës. Sidoqoftë, ky është draft i cili do të trajtohet nen për nen nga grupi punues dhe deri në lexim të dytë do të ketë ndryshime”, ka thënë Rrustemi për KOHËN.

Neni 100 i Kushtetutës që definon mocionin e mosbesimit qeverisë i referohet në tërësi dhe nuk përcakton edhe rrethanën që ai të ngrihet për ministra apo zëvendëskryeministra individualisht.

Në seancën e 22 shkurtit deputetët miratuan në lexim të parë projektrregulloren e re të legjislativit, me mbështetjen e gjitha grupeve parlamentare. Partitë opozitare kanë thënë se vërejtjet e tyre do t’i japin mes dy shqyrtimeve të draftrregullores. Por nuk e kanë ngritur edhe çështjen e mocionit. Në rregullore janë përfshirë edhe dispozita që derivojnë nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, siç është seanca konstituive, nominimi dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Me rregullore normohet praktika aktuale e konsultimit me shefat e grupeve parlamentare rreth rendit të ditës, numrit dhe përbërjes së komisioneve të Kuvendit, duke krijuar edhe konferencën e kryetarëve si një organ të ri të Kuvendit.

Nga rregullorja fshihen dispozitat për procedurat e heqjes së imunitetit të deputetit në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011. Me nen të veçantë rregullohet organizimi i grupeve të grave deputeteve, grupeve të tjera jo formale dhe grupeve të miqësisë. Po ashtu, rregullorja përcakton të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetëve.