Arbëri

Fundi i mandatit të UNMIK-ut, proces i komplikuar

UNMIK

Institucionet në vend, por as shtetet e tjera përkrahëse, nuk kanë në plan se si do të veprojnë për të konkretizuar thirrjet e tyre për përfundimin e mandatit të misionit të OKB-së në Kosovë. Derisa nga Qeveria nuk kanë treguar nëse do të ndryshojnë raportin me këtë mision, njohës të së drejtës ndërkombëtare thonë se një gjë e tillë do të jetë e vështirë

Konkretizimi i thirrjeve për përmbylljen e mandatit të UNMIK-ut në veprime për një gjë të tillë, është duke u konsideruar vështir i realizueshëm nga njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare. Javën e kaluar, në Këshillin e Sigurimit, është kërkuar sërish që misionit të OKB-së në Kosovë t’i jepet fund, kërkesë kjo e përkrahur sidomos nga SHBA-ja e Britania e Madhe. Por, sipas profesorit Besfort Rrecaj, përfundimi i mandatit të UNMIK-ut në Kosovë është më i komplikuar dhe se një gjë e tillë është e varur nga “situata e politikës globale”.

“Në qoftë se do të mund të arrinim në një pozitë që Rusia dhe Kina do të pajtoheshin që të paktën të abstenojnë, unë besoj që kjo do të arrihej shumë lehtë, përndryshe në rrethanat e sotme politike ndërkombëtare duket që vetëm se po vështirësohet abrogimi i kësaj rezolute dhe nuk do duket që do të mbetet vetëm çështje mes Kosovës dhe Serbisë, por do të mbetet çështje edhe e politikave të tjera, sepse Rusia do ta shohë këtë si një kartë për t’i zgjidhur problemet e tjera që i ka në botë dhe me të cilat po përballet me botën demokratike”, ka thënë Rrecaj.

Sipas tij, ajo çfarë mund të bëhet aktualisht nga institucionet e vendit, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare, është që Rezoluta 1244 të mos riaktualizohej e mundësisht të shmangeshin pjesëmarrjet në diskutimet për këtë rezolutë.

Profesori Rrecaj ka sqaruar rrugët përmes të cilave mund të iniciohet përfundimi i mandatit të këtij misioni.

“Njëra është forma e shkruar përmes së cilës Këshilli i Sigurisë do të nxirrte një rezolutë të re e cila shprehimisht do ta abrogonte rezolutën 1244 ose do ta nxirrte një rezolutë tjetër e cila do ta nënkuptonte shfuqizimin e Rezolutës 1244. Ekziston një mënyrë e tretë që do të mund të zbatohej por që është një rrugë ma e pasigurt dhe e paqartë është vendosja e abrogimit në heshtje, përmes moszbatimit të rezolutës, përmes mosdhënies së mundësisë dhe të gjithë hapat e tjerë me të cilët komuniteti ndërkombëtar do ta vendoste në njëfarë mënyre në harrësë dhe kjo do ta nënkuptonte si një abrogim”, ka deklaruar profesori i së drejtës ndërkombëtare.

Ai më tutje ka sugjeruar që në Këshillin e Sigurisë të mos raportohet në baza të rregullta, si dhe përfaqësimi në këtë takim të mos bëhet nga nivelet e larta shtetërore, por në atë të përfaqësimit të jashtëm, e që siç ka thënë Rrecaj, do të mund të ishte i dinjitetshëm.

Të pyetur nëse do të ndryshojnë raportin që kanë me misionin e OKB-së, e për veprimet që do ndërmarrin në drejtim të përmbylljes së mandatit të tij, Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje. Në vend të përgjigjeve në këto pyetje zëdhënësi Përparim Kryeziu, në komunikimin me shkrim, ka falënderuar SHBA-në dhe Britaninë për qëndrimet e tyre, derisa thuhet se prania e këtij misioni në vend nuk është më e nevojshme.

“Prezenca e veprimtaria e UNMIK-ut janë të panevojshme. Pas shpalljes së pavarësisë dhe konfirmimit të ligjshmërisë së saj nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, trup ky i Kombeve të Bashkuara, mandati i misionit të UNMIK-ut tashmë është trefish i tejkaluar. Ne falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtare e OKB-së dhe anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, për qëndrimin e tyre dhe kërkesën për ta mbyllur misionin e UNMIK-ut”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës.

E shkurtër në përgjigje ka qenë edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara. Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Farhan Haq, ka thënë se “çdo ndryshim për t’i dhënë fund mandatit të UNMIK-ut kërkon ndërmarrjen e veprimeve nga Këshilli i Sigurimit”.

“Mandati i OKB -së në Kosovë përcaktohet nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB -së, përfshirë Rezolutën 1244 dhe ato pas saj. Çdo ndryshim për t'i dhënë fund mandatit të misionit kërkon veprime nga Këshilli i Sigurimit”.

Të premten e javës së shkuar, përfaqësuesit e SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe kanë kritikuar Këshillin e Sigurimit për mosshqyrtimin e mandatit të UNMIK-ut. Përfaqësuesit e të dyja shteteve kanë bërë thirrje që të ndërmerren hapat e nevojshëm për përfundimin e misionit. Në fjalën e saj, një gjë të tillë e ka kërkuar edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila përfaqësoi Kosovën në takimin e Këshillit të Sigurisë.

Ky takim është shoqëruar me akuza e kundërakuza, sidomos mes Kosovës dhe Serbisë. Por kritika ndaj Kosovës, sidomos për ngjarjet e javëve të fundit në veri të vendit, bllokadës në dy pikat kufitare me Serbinë, si dhe aksionit të Policisë së Kosovës në disa komuna kundër kontrabandës, renditi shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin.

Mandati i UNMIK-ut është përcaktuar nga Këshilli i Sigurimit më 1999, nëpërmjet Rezolutës 1244.

Sipas të dhënave të publikuara në uebfaqen e misionit të UNMIK-ut, detyrë e tij është që të “ndihmojë në sigurimin e kushteve për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës dhe avancimin e stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor”.

UNMIK-u siguron koordinim me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), i cili ka përgjegjësi operative në fushën e sundimit të ligjit. Në kuadër të këtij misioni janë të punësuar 374 persona të përfshirë, prej tyre 112 staf ndërkombëtar, 220 staf kombëtar, 24 vullnetarë të OKB-së e 18 personel i uniformuar (8 vëzhgues ushtarakë e 10 oficerë policie të OKB-së).