Ministria e Arsimit nuk ka respektuar afatin ligjor për ta dërguar për publikim në Gazetën Zyrtare, udhëzimin administrativ që parasheh licencimin e mësimdhënësve përmes testimit. Sipas ligjit, publikimi duhet të bëhet në afat prej pesë ditësh nga miratimi, por Ministria e Arsimit e ka dërguar për publikim pas shtatë muajsh. Për pasojë, edhe konkursi për rekrutimin e inspektorëve është kthyer në pikën zero
Legjislacioni me të cilin ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u bën thirrje mësimdhënësve që t’i nënshtrohen testimit me shkrim për të përfituar licencën e avancuar, nuk është ende valid.
Kjo, pasi Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), që në qershor të vitit të kaluar ka miratuar udhëzimin administrativ për Sistemin e licencimit dhe karrierën në mësimdhënie, e ka dërguar për publikim në Gazetën Zyrtare pas shtatë muajve, në kundërshtim me afatet ligjore.
Udhëzimi i miratuar në qershor, u publikua në Gazetën Zyrtare më 10 janar të këtij viti dhe hyri në fuqi tek pas një jave.
E ligji për Gazetën Zyrtare thekson se aktet juridike duhet të dërgohen për publikim brenda pesë ditëve nga dita e miratimit.
“Të gjitha institucionet janë të detyruara që aktet juridike brenda afatit kohor 5 (pesë) ditor, nga dita e nxjerrjes, t’i dërgojnë në Zyrën për publikimin e gazetës zyrtare”, shkruan në nenin 7.
Si pasojë e mospublikimit me kohë të aktit nënligjor, konkursi për rekrutimin e inspektorëve të arsimit, i cili vlerësohet si një nga proceset jetike në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, është kthyer në rishqyrtim.
Në vendimin e marrë në dhjetor, e që është publikuar të hënën nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHC), është thënë se procesi duhet të kthehet në pikën zero, pasi kandidatët për inspektorë nuk mund të vlerësohen duke u bazuar në një udhëzim i cili nuk gjendet në Gazetën Zyrtare.
“Kolegji i Këshillit arrin në përfundim se ky udhëzim meqenëse nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe si rrjedhojë nuk është në fuqi dhe i njëjti nuk ka mundur të prodhojë efekte juridike”, thuhet në vendim.
Kandidatët, të cilët kanë aplikuar në konkursin e hapur në maj të vitit të shkuar janë vlerësuar nga departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që është përgjegjës për rekrutimin e punonjësve në institucionet publike të nivelit qendror. Në mesin e kritereve për këta kandidatë është edhe pajisja me licencë valide të karrierës për mësimdhënie. Rregullimi ligjor për këtë licencë parashihet në udhëzimin, të cilin Ministria e ka dërguar jashtë afateve ligjore për publikim në Gazetën Zyrtare.
Akti nënligjor parasheh që mësimdhënësve t’u vazhdohet automatikisht licenca për karrierë për 5 vjetët e ardhshëm, deri sa të fillojë procesi i vlerësimit të tyre.
“Licencat e karrierës së mësimdhënësve të lëshuara gjatë viteve 2012-2022, vazhdohen për 5 vjet. Këto licenca mbeten të vlefshme deri në realizimin e procesit të brendshëm të VPM-së (Vlerësimit të Performancës së Mësimdhënësve)”, shkruan në nenin 13 të udhëzimit.
Meqë udhëzimi nuk është publikuar në faqen zyrtare, KPMSHC, që trajton ankesat e kandidatëve, ka konstatuar se licencat e mësimdhënësve nuk janë valide.
E, në departamentin e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë theksuar se kandidatët i kanë vlerësuar në bazë të dokumenteve që ka miratuar MASHTI, duke mos qenë në njohuri se ato nuk janë publikuar në Gazetën Zyrtare.
“Lidhur me këtë çështje, ju informojmë se Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik, duke u bazuar në paragrafin 6 të nenit 13 të Udhëzimit Administrativ të MASHTI-t me nr. 14/2023, për sistemimin e licencave dhe karrierës i cili përcakton”, thuhet në përgjigje. “Andaj Departamenti për Menaxhimin Zyrtarëve Publikë ka pranuar të gjitha licencat e mësimdhënësve gjatë verifikimit”.
Në Ministri nuk kanë dhënë arsyetime për mosrespektimin e afatit ligjor. Në përgjigjen e tyre thuhet se Ministria ka interes që procesi për rekrutimin e inspektorëve të mbyllet sa më shpejt.
“Lidhur me procesin e rekrutimit të inspektorëve, MASHTI akoma nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar nga KPMSHC. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka interes të jashtëzakonshëm që sa më shpejt të angazhojë inspektorë të rinj të arsimit”, thuhet në përgjigjen nga MASHTI.
Udhëzimi për licencimin e mësimdhënësve është në kuadër të një pakoje ligjore që MASHTI e ka miratuar në qershor të vitit të kaluar. Përveç licencimit, përfshihen edhe dy akte nënligjore, ai për Vlerësimin e Performancës së Mësimdhënësve, si dhe për Këshillin Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve. Në Gazetën Zyrtare nuk është e publikuar as Udhëzimi për Vlerësimin e Performancës së Mësimdhënësve. As për këtë në Ministri nuk kanë dhanë sqarime.
Drejtori në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se për këtë lëshim ligjor, ministrja Nagavci duhet të japë dorëheqjen.
“Kjo e dëshmon se Ministria e Arsimit udhëhiqet nga persona jokompetentë, të cilët nuk e kuptojnë A-BC-në se si udhëhiqet me ministrinë dhe se si aktet nënligjore mund të zbatohen në praktikë”, ka thënë Miftaraj.
Me ardhjen në pushtet, Nagavci pati premtuar se do të shtojë numrin e inspektorëve për 40. Por deri më tani nuk ka arritur të ndryshojë numrin e tyre. Në gjithë vendin aktualisht janë rreth 30 inspektorë, për mbi 1 mijë institucione të arsimit parauniversitar dhe për mbi 22 mijë mësimdhënës.
KOHA ka raportuar kur ky konkurs për rekrutimin e 21 inspektorëve është hapur me kritere dyfish më të ulëta seç i parasheh Ligji për Inspektoratin e Arsimit.
Është hera e dytë që ky konkurs është hapur, pasi herën e parë ka dështuar me dyshimin për manipulim të procesit.