Që nga 3 nëntori i vitit të kaluar, kur Ministria e Drejtësisë ka tentuar të zgjedhë drejtorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, ende janë të hapura procedurat për këtë pozitë.
Ministria e Administratës Publike ka arsyetuar anulimet e dy konkurseve të mëparshme, sepse nuk ka pasur kandidatë të kualifikuar për këtë pozitë.
“Konkursi për herë të parë është shpallur më 03.11.2017 dhe për këtë pozitë, kanë aplikuar gjashtë kandidatë. Nuk ka pasur kandidatë të mjaftueshëm të kualifikuar për të vazhduar tutje. Konkursi u rishpall në mars, aplikuan 7 kandidatë dhe për arsyen e njëjtë, u anulua. Konkursi për herën e tretë u rishpall më 19.04.2018. Nga dhjetë kandidatë që aplikuan, pesë prej tyre janë selektuar për listë të ngushtë, tre prej tyre janë rekomanduar për procedurë të mëtejme”, thuhet në përgjigjen nga Zyra për Media, Ministria e Administratës Publike.
Të mërkurën është mbyllur afati i fundit i ankesave pas intervistës që patën 6 kandidatët konkurrentë, derisa vetëm 3 kanë kaluar në fazën e fundit.
Në garë për këtë pozitë, është drejtori aktual i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gerxhaliu, Musa Gashi dhe Naim Uka.
Edhe
Konkursi për drejtor të Institutit ë Mjekësisë Ligjore mund të dështojë sërish
Njeri nga këta emra duhet t’i dërgohet për votim Qeverisë së Kosovës.
Ministri i Drejtësisë, që e menaxhon këtë institucion, pranon se ka qenë sfida më e madhe më të cilën është përballur që kur ka marrë mandatin.
Sidoqoftë, ai thotë se ende nuk i ka emrat, por gjasat janë që procesi të anulohet përsëri.
Zgjedhja e drejtorit të Institutit ka qenë zotim i ministrit të Drejtësisë dhe qëllimi ishte funksionalizimi dhe rritja e kapaciteteve të këtij departamenti, pas largimit të EULEX-it.
Zyrtarët e këtij të fundit ende janë fizikisht në Institut, por sipas ministrit, nuk kanë kompetenca ekzekutive.
Edhe
EULEX-i dhe Ambasada britanike bëjnë thirrje për zgjedhjen e drejtorit të IML-së
Departamenti për Mjekësi Ligjore i EULEX-it ishte i inkuadruar në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore, bazuar në ligjin për këtë institucion.
Në dispozitat kalimtare të tij, parashihej që ekspertët e EULEX-it të punonin së bashku me vendorët, me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve dhe për të siguruar që IML-ja ka ekspertë të mjaftueshëm të trajnuar mirë që janë në gjendje të ofrojnë ekspertizë mjekoligjore, duke i plotësuar standardet ndërkombëtare.