Puna e komisioneve parlamentare, sipas kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjfuca është jetike për funksionimin dhe ecurinë e legjislativit.
Në takimin që sot e pati me kryetarët e komisioneve, kryeparlamentari kërkoi përshpejtim më të madh të procedimit të projektligjeve dhe miratimit në Kuvend.
“Unë e konsideroj punën e komisioneve shumë të rëndësishme dhe qenësor për funksionimin e Kuvendit të Republikës. Agjenda e punës për të cilën ne pajtohemi dhe e definojmë së bashku nuk është e mundshme të realizohet pa punën efektive të komisioneve parlamentare. Puna e tyre është jetike për ecurinë e Kuvendit të Kosovës dhe puna e Kuvendit është padyshim jo vetëm shtylla e demokracisë, por edhe shumë me rëndësi për interesat e qytetarëve tanë, pasi ata na kanë dërguar këtu dhe atyre duhet t’iu japim llogari”, tha Konjufca.
Konjufca bëri të ditur se në procedurë për shqyrtim janë 31 projektligje të miratuara në parim, dhjetë projektligje që presin në shqyrtim të parë dhe tetë projektligje të tjera që presin për shqyrtim në parim në Komisione Parlamentare.
“Qëllimi i këtij takimi ndër të tjera është njoftimi me gjendjen e projektligjeve në procedurë të shqyrtimit nga ana e komisioneve parlamentare me kërkesë që të përshpejtohet procedimi i tyre dhe miratimi në Kuvend. Vetëm desha të ndaj disa informata me ju, në procedurën e shqyrtimit në Kuvend janë gjithsej 31 projektligje të miratuara në parim, të cilat gjenden në procedurën e shqyrtimit në komisione. Janë dhjetë projektligje që presin në shqyrtim të parë në seancën plenare, janë tetë projektligje që presin për shqyrtim në parim në komisione dhe një projektligj për ratifikim të marrëveshjes ndërkombëtare, i cili pret shqyrtimin në komisionin përkatës parlamentar”, tha ai.
Gjatë këtij takimi, kryeparlamentari vuri në pah edhe vonesat në miratimin e rregullores së re të Kuvendit.
“Mendoj se jemi vonuar pak, mirëpo këto vonesa janë shkaktuar edhe nga zhvillimet politike dhe nga zgjedhjet. Kam qenë gjithmonë mbështetës i grupit që ka punuar shumë që kjo rregullore të finalizohet. Në takimin e fundit kur i kam vizituar dhe e kam mbajtur fjalën time ka pasur mbështetje të plotë dhe kemi menduar që kjo do të përfundonte brenda tetorit, kështu kanë qenë projeksionet. Shpresoj që anëtarët e komisionit dhe kryetari do të punojnë pas përfundimit të zgjedhjeve që të kemi Rregulloren e Kuvendit dhe të del në seancë për miratim, si njëri prej dokumenteve më të rëndësishme që i nevojitet Kuvendit”, tha Konjufca.
Krahas këtyre, Konjufca tha se është e rëndësishme për Kuvendin edhe përmbushja e veprimeve të parapara të planit kombëtar për zbatimin e MSA-së./ksp