Më 16 dhe 17 shkurt në Prishtinë, u mbajt takimi i dytë i “Unionit të Bashkive Shqiptare” të rajonit, ku u diskutua kryesisht për ruajtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Secila Komunë/Bashki, përmes përfaqësuesve të vet, prezantoi ide të ndryshme për “Qytetin e Gjelbër”, ide këto që çojnë te zotimet e përbashkëta për hapa konkret drejt zhvillimit të qyteteve më të pastra, të shëndetshme dhe të sigurta për qytetarët, bën të ditur Zyra për Informim e Komunës së Prishtinës përmes një komunikate për media.
Delegacioneve në këtë konferencë iu prinë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj; kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi; kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi; kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka; kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari; nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Arian Murati; administratori i Përgjithshëm i Bashkisë së Fierit, Florjan Muçaj; si dhe nikoqiri, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, transmeton Koha.net.
Në këtë takim po ashtu u diskutua për zgjerimin e mëtutjeshëm dhe mënyrën e funksionimit të këtij Unioni, i cili qendrën do ta ketë në Tiranë, por do të përfshijë brenda vetes gjithnjë e më shumë Komuna/Bashki shqiptare të rajonit.
{gallery}