Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komuna e Prizrenit dhe Policia marrin masa kundër grumbullimit të qytetarëve në pikat turistike

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës të dielën kanë ndërmarrë veprime për parandalimin dhe pengimin e grumbullimit të qytetarëve në zonat turistike dhe rekreative të Komunës së Prizrenit.

Zyrtarët komunal kanë bërë të ditur se këto masa janë ndërmarrë me kërkesën e tyre, me qëllim të evitimit të rrezikut nga përhapja e pandemisë COVID-19, transmeton KOHA.

Kësisoj Policia pos banorëve ka ndaluar edhe qarkullimin e qytetarëve tjerë për në zonat e Prevallës dhe Nashecit, ndërkohë që ka intervenuar edhe në Vërmicë për shpërndarjen e vizitorëve.

Koordinatori i Shtabit emergjent komunal, Visar Shehu, ka pohuar se për këtë qëllim Komuna të shtunën i ka dërguar një kërkesë Policisë së Kosovës.

“Kemi marrë masa që të gjitha hyrje-daljet në qytetin e Prizrenit, me theks të veçantë në rajonin e Zhupës dhe Nashecit të jenë patrullat, për shkak të mos grumbullimit të qytetarëve”, ka thënë Shehu. Sipas tij, pjesëtarët e Policisë kanë vepruar në mënyrë të duhur për ta ruajtur rendin. Ai ka shtuar se qasja në këto zona është mundësuar vetëm për banorët dhe jo për qytetarët tjerë.