Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komuna e Prishtinës ofron online të gjitha kontratat e veta

Nga sot secili qytetar mund t’i shohë online kontratat e Komunës së Prishtinës. Kjo meqë është hapur platforma digjitale, përmes së cilës komuna ofron online të gjitha kontratat e veta. Kryetari Shpend Ahmeti ka bërë thirrje që njëjtë të veprojë edhe qeveria.

Komuna e Prishtinës prej sot ka hapur platformën e re digjitale, përmes së cilës ofron ‘online’ për qytetarët e saj të gjitha kontratat e veta.

Kjo do të jetë edhe një mundësi shtesë që Prishtina në shtator t’i hyjë garës ndërkombëtare për kryeqytetin më transparent në Evropë.

I pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, tha se me platformën e re "Open Data" kanë vendosur një standard të ri të transparencës, duke ofruar “Kontrata të hapura”.

Ka bërë thirrje që njëjtë të veprojë edhe qeveria.

Zëvendësshefi i zyrës së UNICEF-it, James Mugaju, këtë e quajti një hap shumë të rëndësishëm për transparencën.

Ndërsa nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, bëri të ditur se platforma përmban dy module, atë menaxherial, të cilin nuk e sheh publiku dhe atë të publikut, që është shumë i kapshëm për qytetarët.

Komuna e Prishtinës është ndër organizatat më të mëdha buxhetore në Republikën e Kosovës, e cila arrin shifrën vjetore prej 30 milionë euro në kontrata të ndryshme.

Veprimin e njëjtë me hapjen e kontratave ditëve të fundit e kanë bërë disa komuna të Kosovës.

Artikuj të ngjashëm