Me çmime astronomike duket se janë blerë disa pajisje mjekësore për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë.
Në një kontratë të vitit 2017, që Komuna e Podujevës e kishte lidhur me kompaninë “Medica”, shihet që çmimet për pajisjet që janë blerë për nevojat e QKMF-së janë shumë më të larta se ato të tregut, raporton KOHA.
Dyshime për keqpërdorim të buxhetit për shëndetësi ka ngritur edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë, Sheqir Maliqi, të cilit i ka rënë në dorë kjo kontratë.
“P.sh. një sterilizator në bazë të kësaj fature është blerë 2250 euro, a në treg maksimumi 500-600 euro, qysh i kam pyetur unë profesionistët që i kanë ordinanca private që janë të nevojshme ato. Kemi p.sh. enë veshkore 50 euro, gërshërë 30 euro, asnjë nuk kushton mbi 5 euro, më të mirat 15 euro, po që ato nuk vijnë te na asnjëherë. Kemi vetëm frigorifer, veç ia kanë shtua frigorifer për reagensa, është diku 70 cm, që në treg është 70-80 euro. Dy frigoriferë janë blerë nga 450 euro”, ka thënë Maliqi.
Krahasuar me çmimet që tash janë në treg, për shembull, Komuna për një
defibrilator ka paguar 5 mijë e 850 euro, ndërsa sipas çmimeve të një depoje farmaceutike ai kushton 1 mijë euro, që i bie se Komuna ka paguar gati pesëfish më shumë.
Pastaj 6 sterilizatorë Komuna i ka blerë nga 2 mijë e 250 euro, kurse sipas çmimit të tregut një i tillë kushton 400 euro.
Po ashtu, Komuna i ka blerë 10 çanta emergjente komplet nga 380 euro dhe po ashtu 15 peshore digjitale për të rritur me matëse gjatësie nga 350 euro, e që të dyja në treg shiten për 30 euro për copë.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKMF-së, Bejtush Jashari, i cili ka qenë kryetar i Komisionit për pranimin e këtyre pajisjeve, ka thënë se nuk ka qenë detyrë e tyre t’i shikojnë çmimet e pajisjeve, por vetëm nëse sasia e tyre përputhet me ato në kontratë.
KOHA ka provuar të kontaktojë edhe Zaim Thaçin, i cili në kohën kur është nënshkruar kjo kontratë ka qenë në krye që QKMF-së, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin.
Përgjigje nuk kanë kthyer as zyrtarët komunalë të Podujevës.