29 nëntor - Komunarët e Obiliqit po synojnë që borxhin e grumbulluar ndër vite nga të hyrat vetjake ta realizojnë nëpërmjet përmbaruesve privatë. Të njëjtit i kanë thënë gazetës se tashmë e kanë miratuar edhe një rregullore të brendshme në të cilën parashihet edhe arkëtimi i këtyre të hyrave. Deri tash ata nuk kanë arritur t’i bindnin borxhlinjtë që t’i shlyenin obligimet që i kanë ndaj komunës, raporton Koha Ditore.
“...Janë diku 680.000 euro (të parealizuara v.j.) duke përfshirë në këtë shumë edhe 240.000 euro nga shpronësimi i autostradës. Komuna e ka hartuar një rregullore të brendshme dhe ka planin për inkasim, tani jemi në hapat e fundit për t’i inkasuar përmes përmbaruesit privat!”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për informim të Komunës së Obiliqit.
Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit thuhet se vlera e llogarive të arkëtueshmeve (LLA) në fund të vitit 2018 për Komunën e Obiliqit ishte 1.099.339 €, të cilat kishin të bënin me tatimin në pronë, ndërrimin e destinimit të tokës, taksa në firmë, shitja e banesave, qiraja komunale dhe shfrytëzimi i hapësirës publike.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)