Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komuna e Gjilanit nuk e vazhdon projektin për lidhjen e dy lagjeve të qytetit

Pushteti komunal i Gjilanit nuk e ka vazhduar projektin për shtrirjen e rrugës së Kumanovës në drejtim të lagjes “Iliria”. Është investuar vetëm në ndërtimin e një rrethrrotullimi në afërsi të palestrës sportive “Bashkim Selishta-Petriti”, me të cilin lidhen vetëm dy rrugë anësore.

Mirëpo, me këtë investim nuk është arritur që të lidhet rruga e Kumanovës me ndonjë lagje tjetër të qytetit. Drejtori i Urbanizimit në komunën e Gjilanit, Bekim Bajrami deklaron se shtrirja e rrugës në drejtim të lagjes “Iliria” nuk ka ndodhur, meqë duhet të sqarohen çështjet pronësore, të cilat lidhen me trasenë e rrugës dhe pasi të përfundojë ky proces ai do të realizohet.

“Plani është që të hapet rruga dhe besoj se kjo do të ndodhë. Sipas planit rruga do të kalojë në mes të banesave dhe del poshtë te furra. Është bërë diçka në këtë drejtim dhe është punuar dhe në të ardhmen besoj se edhe kjo do të definohet. Është një çështje pronësore dhe është një detaj që zgjidhet dhe vazhdon rruga sipas planit” ka thënë ai.

Këshilltarët komunalë të Gjilanit vlerësojnë se nëse rruga e ndërtuar nuk mundëson lidhjen e qytetit me rrugën e Kumanovës, atëherë del se qeverisja komunale i ka mashtruar qytetarët.