Komuna e Gjilanit ka finalizuar procedurën paraprake për ndryshimin dhe plotësimin e statutit, si nevojë për riorganizimin e qeverisjes, me të cilin parashihet rritja e numrit të drejtorëve si dhe komiteteve, transmeton Koha.net.
Arben Mehmeti, kryetar i Komisionit për ndryshime statutare dhe akte të tjera normative, ka thënë se komisioni e ka përfunduar punën sa i përket ndryshimit të statutit të Komunës, ku janë bërë disa plotësime dhe ndryshime.
Komisionika propozuar themelimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Drejtorisë së Inspekcionit. Po ashtu është propozuar që Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të ndahet në Drejtori për Shëndetësi Primare dhe Drejtori për Çështje Sociale dhe Banim Social. Është arritur pajtimi që të krijohet edhe një drejtori e re - Drejtoria për Mbrojtje të Mjedisit, ka thënë Mehmeti.
Komisioni është dakorduar që të krijohet Zyra e Avokatit të Komunës së Gjilanit. Njëherësh është ndryshuar emërtimi Departamentit të Prokurimit, i cili do të quhet Zyrë e Prokurimit.
Ndërkaq, me krijimin e drejtorive të reja, do të shuhet Zyra për Kulturë, Rini e Sport.
Edhe
Rithemelohen Drejtoria e Inspektoratit dhe ajo e Kulturës
Po ashtu, në kuadër të këtyre ndryshimeve, është rekomanduar krijimi i komiteteve të reja: Komiteti konsultativ për persona me aftësi të kufizuar, Komiteti për shëndetësi primare, Komiteti për çështje sociale dhe banim social si dhe Komiteti për mbrojtje të mjedisit.
Komisioni ka qenë i përbërë nga anëtarë të LDK, LVV, PDK, AAK, NISMA, AKR dhe minoriteti serb.