Një prej kompromiseve që është propozuar e që nuk e ka pranuar pala kosovare është ai që Kosova t’i zbatojë masat e reciprocitetit duke lëshuar letra hyrëse për qytetarët e Serbisë, por jo edhe për ata që jetojnë në Kosovë e nuk duan të kenë dokumente të Kosovës. Disa burime diplomatike kanë thënë një ditë pas takimit se ndaj Kosovës po bëhet presion edhe për shtyrje të reja të zbatimit të masave të reciprocitetit
Fjalët e një burimi të BE-së, i cili gazetarëve me kusht anonimiteti u tha se “ky ishte takimi më i mirë deri më tash” i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kanë lënë të habitur gazetarët që po e dëgjonin këtë zyrtar duke folur. Kjo për shumëkënd nuk ishte në përputhje me konstatimin se ky takim ka dështuar të sjellë ndonjë rezultat konkret. Por, për ata që e dinë se Kurti e Vuçiqi ishin takuar vetëm dy herë deri më tash në kuadër të dialogut e takimi i fundit kishte qenë para më shumë se një viti, konstatimi se ky takim ka qenë “më i miri deri më tash” kishte kuptim. Sepse, takimet e mëparshme kanë qenë shumë të ashpra, me shkëmbim të akuzave, dhe pikërisht atmosfera në to ka bërë që për më shumë se një vit të mos ketë takime në këtë nivel.
Takimet në Bruksel të enjten u zhvilluan prej orëve të mëngjesit e deri në orët e mbrëmjes, në formate të ndryshme. Madje, edhe një ditë më herët pati shumë takime të Kurtit dhe Vuçiqit me përfaqësues të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të përgatitur sa më mirë takimin e 18 gushtit, i cili duhej të prodhonte diçka. Sepse, thoshin disa diplomatë, në rrethanat e tashme ndërkombëtare BE-ja nuk mund t’i ofrojë vetes që të dështojë edhe në këtë takim. Në ndihmë BE-së i kishte ardhur edhe i dërguari i posaçëm amerikan, Gabriel Escobar. Dhe, kur në BE vjen në takime një zyrtar amerikan me qëllimin që të ndihmojë në dialog, kjo shpesh do të thotë se kërkohet presion ndaj Kosovës pasi SHBA-ja nuk ka ndikim ndaj Beogradit. E, BE-ja është e vetëdijshme se besimi i kosovarëve ndaj BE-së, së paku në dialogun me Serbinë, nuk është edhe aq i madh. Për ta rritur besimin e kosovarëve Bashkimi Evropian e mirëpret “rolin shumë ndihmues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Escobari takoi në Bruksel Kurtin dhe madje së bashku me të edhe të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Takoi edhe presidentin e Serbisë, Vuçiq, dhe u pa duke hyrë në ndërtesën e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) në kohën kur po zhvilloheshin takimet në kuadër të dialogut.
Ndonëse nga BE-ja disa herë kanë thënë se takimi kishte dy qëllime - diskutimet për marrëveshjen finale dhe “çështjet aktuale” - fokusi kryesor ka qenë vetëm në problemin e hyrje-daljeve mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak të frikës se më 31 gusht apo 1 shtator mund të ketë përsëri tensione në Kosovë, siç ka pasur më 31 korrik dhe 1 gusht. Këtë, si tha një burim i BE-së, “të gjithë duhet ta evitojnë”.
Se çfarë ka ndodhur vërtet në këto shumë orë takimesh në Bruksel gjatë dy ditëve, nuk u mësua nga burimet e Qeverisë së Kosovës. Disa burime diplomatike kanë thënë se palëve u ishte kërkuar që të mos dilnin shumë në publik. Është hera e parë që askush nga delegacioni i Kosovës të mos flasë për gazetarë pas takimeve në kuadër të dialogut, prej kur ka marrë mandatin kjo Qeveri, e cila, mes tjerash, kishte premtuar transparencë të plotë edhe rreth dialogut.
Por, për dallim nga pala kosovare, ajo e Serbisë, nëpërmjet kryenegociatorit të saj, Petar Petkoviq, në detaje ka nxjerrë interpretimin e tyre të asaj që ka ndodhur, çfarë është ofruar dhe se pala kosovare ka refuzuar. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se të dielën “do t’i drejtohet publikut” për të sqaruar se “çfarë ka ndodhur në Bruksel” dhe “si është sjellë Albin Kurti”.
Se ky takim “nuk ka qenë i rëndomtë” e ka thënë edhe vetë përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, duke potencuar se takimi ishte më shumë “takim rreth menaxhimit të krizës”.
Edhe pse një burim i BE-së tha se tema e parë ishte marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve, dhe se “palët kanë paraqitur pikëpamjet e tyre se si e shohin normalizimin”, kjo ka qenë vetëm sa për të thënë se po punohet në një zgjidhje të tillë. Të gjithë e dinë se një marrëveshje e tillë nuk do të vijë shpejt dhe se Beogradi nuk është i interesuar për të, por vetëm për zvarritje të procesit, siç ka bërë në 11 vjetët e fundit. E BE-ja, para se gjithash, është e fokusuar në një zgjidhje të çështjes së hyrje- daljeve nga Kosova, si dhe të targave. Sepse, këto dy çështje është dëshmuar se kanë kapacitet të madh të krijimit të tensioneve.
Pala kosovare, sipas burimeve diplomatike, edhe në këtë takim e ka shprehur qëndrimin se marrëveshja finale duhet të ketë si bazë njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete. Por, Serbia është më shumë e interesuar që “nëpërmjet zgjidhjes së çështjeve të vogla të arrihet normalizimi”, duke refuzuar njohjen e Kosovës.
Serbia, sipas burimeve të BE-së, ka ngritur në takime dhe çështjen e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe për këtë ka pasur edhe mbështetjen e BE-së. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të kërkojnë nga Kosova krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duke thënë se “ky është një obligim i Kosovës” dhe duke shtuar se “këtë Kosova duhet ta bëjë si shtet sovran, sipas ligjeve dhe Kushtetutës së saj”. Por Serbia, edhe nëpërmjet presidentit të saj, ka thënë se “nuk i intereson kurrfarë e ashtuquajtur Kushtetutë e një shteti të rrejshëm të Kosovës”. Ndërkaq në BE madje edhe kur flasin në mënyrë anonime nuk thonë se Asociacioni duhet të jetë sipas Kushtetutës së Kosovës.
“Të shohim së pari se çfarë është, çfarë propozimi do të ketë, e atëherë mund të merrem me implikimet juridike”, ka thënë një burim i BE-së, kur është pyetur se a është qëndrim edhe i BE-së, sikur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se krijimi i Asociacionit duhet të bëhet sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Qeveria aktuale e Kosovës edhe ashtu refuzon, së paku deri më tash, që fare ta shqyrtojë krijimin e një Asociacioni në baza etnike në Kosovë.
Burimet e BE-së kanë thënë se edhe për “çështjet konkrete”, e këtu mendohet në targat dhe masat e reciprocitetit, “ka pasur disa propozime në tryezë, por asnjëra akoma nuk është pranuar”. Në BE kanë paralajmëruar se nuk do të dorëzohen dhe se do të punojnë në gjetjen e zgjidhjes, duke mos e konsideruar deri atëherë si të kryer këtë rund të takimit.
Një prej kompromiseve që është propozuar e të cilin pala kosovare nuk e ka pranuar, është ai që Kosova t’i zbatojë masat e reciprocitetit duke lëshuar letra hyrëse për qytetarët e Serbisë, por jo edhe për ata që jetojnë në Kosovë e nuk duan të kenë dokumente të Kosovës. Serbia në këtë mënyre, siç ka pranuar edhe kryenegociatori i saj Petkoviq, kërkon që serbëve në Kosovë t’u njihet e drejta se “po jetojnë në shtetin e tyre të Serbisë”. Por, mbetet e paqartë se cili ka qenë propozimi konkret, si të identifikohen ata që janë “serbë të Kosovës pa dokumente të Kosovës”, ndaj të cilëve nuk do të zbatohej masa e lëshimit të letrave të posaçme për hyrje në territorin e Kosovës, si masë e reciprocitetit.
Serbia ka kërkuar që për serbët e Kosovës të vazhdojë “e drejta” që të kenë “targa neutrale ndaj statusit”, e të tilla Serbia i konsideron ato që i kishte lëshuar administrata e UNMIK-ut e që njihen si “Targat KS”. Por edhe kjo kërkesë është e papranueshme për Kosovën, sepse në një mënyrë nënkupton se Kosova do të kishte qëndrim neutral ndaj statusit të vetvetes.
Burimet e BE-së vetëm kanë thënë se “po kërkohet zgjidhje kompromisi nëpërmjet disa propozimeve”, por nuk kanë dashur të hyjnë në detaje.
Disa burime diplomatike kanë thënë një ditë pas takimit se ndaj Kosovës bëhet presion edhe për shtyrje të reja të zbatimit të masave të reciprocitetit.
Varësisht nga ajo se çfarë do të ndodhë gjatë fundjavës e fokusi është drejtuar nga Beogradi, sepse në Prishtinë dhe Bruksel ka vetëm heshtje, do të varet se a do të ketë takim javën që vjen në nivel të kryenegociatorëve.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar takim me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të dielën në Beograd dhe pas këtij takimi do t’i drejtohet opinionit. Edhe pse BE-ja dhe NATO-ja vazhdojnë të punojnë me presidentin e Serbisë në kërkim të një zgjidhjeje, janë të vetëdijshëm se protestat në veri të Kosovës dhe bllokimi i rrugëve nuk mund të ndodhë, nëse Beogradi vërtet do të ishte kundër. Prandaj, vazhdojnë të kërkojnë “nga të dyja palët” përmbajtje nga sjelljet dhe retorika që do të krijonte tensione.