Arbëri

Kompanitë kosovare me vështirësi për furnizim me lëndën e parë

Pandemia dhe agresioni rus në Ukrainë kanë shfaqur edhe probleme në furnizim me lëndën e parë për kompanitë kosovare. Rritja e çmimeve, si dhe koha e liferimit janë problemet me të cilat po përballen qe një kohë të gjatë

Kompanitë kosovare po përballen me sfida për furnizim me lëndën e parë. Pas krizës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19, situata është rënduar edhe nga agresioni rus në Ukrainë.

Kjo kompani që furnizohet me parket nga Ukraina ka mbetur pa këtë mall, shkaku që fabrika ndodhet në zonën ku ka luftime.

Menaxheri Rilind Gashi thotë se janë në kontakte me kompani të tjera, në shtetet e tjera, për t’u furnizuar me këtë mall. Problem, sipas tij, është koha e arritjes së mallit, por edhe çmimet e larta.

“Për produktet bazë që përdorim ne ka pasur rritje të vazhdueshme të çmimit, ne përpunojmë edhe metalin, edhe drurin, ka pasur rritje për 100 për qind. Fatkeqësisht për neve dhe fatmirësisht për klientët nuk kemi pasur rritje, çmimet janë rritur, por nuk e di sa mund të vazhdojmë”, ka thënë Gashi

Përveç çmimit, Fisnik Berisha, menaxher në WBH Kosovo, thotë se kompanitë në shumicën e rasteve detyrohen që të bëjnë parapagimet, edhe pse malli vonohet me muaj të tërë.

“Ka ra kërkesa, ka probleme me kohën e liferimit, bëhen porositë, kemi brend që na vonohet deri në 14 muaj prej afatit të porosisë. Shumica duhet të parapaguhet, që të hyjë në prodhim”, ka thënë ai.

Sa u përket çmimeve, Berisha thotë se ato kanë filluar të rriten edhe para pushtimit, por që po vazhdojnë të rriten.

“Kemi pasur rritje të vazhdueshme të lëndës së parë për prodhim, gjithashtu edhe produkteve që i importojmë, ka pasur rritje të mjaftueshme, diku deri 100 për qind deri në 130 për qind e të gjitha brendeve është rritur. Kohë pas kohe çdo muaj kemi lajmërime se ka vazhdimisht ngritje”, ka theksuar.

Çmimet e prodhimit në Kosovë, në tremujorin e katërt të vitit të kaluar kanë shënuar një rritje prej 0.6 për qind.

Rritje ka pasur te përpunimi i produkteve ushqimore, prodhimi i pajisjeve elektrike dhe prodhimi i metaleve motorike.

Megjithatë, në Kosovë prodhimet shpeshherë janë më të shtrenjta sesa ato të importit.

Kjo, sipas profesorit Ujkan Bajra, është se shumica e të mirave materiale janë të importuara.

“Përderisa rritja e çmimeve është evidente edhe në tregun global, si rezultat i ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit dhe rrezikut politik, problemeve të punës dhe rritjes së çmimeve të energjisë globale, atëherë edhe vendi ynë ndikohet ndjeshëm”, ka theksuar Bajra.

Pushtimi rus i Ukrainës, sipas profesorit Bajra, ka shkaktuar rritje të konsiderueshme të çmimeve të naftës, në një nivel më të lartë në tetë vjet, ndërkohë që paqëndrueshmëria e çmimeve ka të ngjarë të vazhdojë në të ardhmen afatshkurtër, marrë parasysh mungesën e produkteve apo lëndës së parë me origjinë nga Evropa Lindore.

“Me humbjen e furnitorëve/tregjeve, për shembull me bazë në Ukrainë apo Rusi, bizneset detyrohen të gjejnë tregje/furnizues alternativë dhe derisa të sigurohen, kjo reflekton në zinxhirin e furnizimit, por edhe në rritjen e çmimeve të produkteve apo lëndëve të para”, ka theksuar ai.

Bajra shpreson që kostoja e lëndëve të para të fillojë të bjerë nga fundi i 2022-shit.

Ai rendit faktorët që ndikojnë në rritjen e çmimeve. Mungesa e fuqisë punëtore ose puna me staf të përgjysmuar, si pasojë e masave kufizuese ndaj COVID-19, sipas tij, është një nga arsyet kryesore që e ka destabilizuar tregun global dhe rritjen e çmimeve.

Edhe rritja e energjisë dhe derivateve të naftës, janë dy faktorë që kanë ndikuar në këtë.

“Ka pasur rritje të kostos së logjistikës. Pak më shumë se një vit më parë, një dërgesë e vetme me kontejnerë nga Kina në Evropë kushtonte rreth 2,500 euro, por kjo kosto është rritur pothuajse mbi gjashtë herë gjatë 6 muajve të fundit. Thënë ndryshe, që nga shkurti 2022, transporti i një kontejneri 40' kushtonte mbi 13 mijë euro”, ka thënë ai.

Dyshimet për abuzime me çmime dhe mospërputhja e tyre me çmimet tek arka kanë shtyrë konsumatorë të shumtë që t’i drejtohen Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorëve në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Ankesat janë shtuar nga fillimi i marsit, ku për shkak të luftës në Ukrainë pati rritje drastike të çmimeve. Brenda 13 ditësh u drejtuan mbi 200 ankesa, 40 prej të cilave kanë të bëjnë me tregti.

Vetëm pas raportimeve në media për dyshimet për abuzime pati ndërhyrje nga Inspektorati i Tregut bashkë me inspektorët e ATK-së dhe ata komunalë, që shqiptuan 20 gjoba, 4 inicime të procedurës për kundërvajtje, si dhe 9 sekuestrime.

Të premten Inspektorati ka mbyllur përkohësisht dy depo të supermarketeve në Fushë-Kosovë dhe Graçanicë. Në to janë gjetur 126 mijë shishe vaj, për të cilat nuk ka pasur dokumentacion.

Edhe Banka Qendrore e Kosovës ka vlerësuar se ekonomia e Kosovës do ta ndiejë krizën përmes rritjes së çmimeve.

Ndërkohë sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, shkalla e inflacionit në muajin shkurt ishte 7.5 për qind. Sipas saj, rritje të çmimeve pati kryesisht te drithërat, vajrat, energjia elektrike dhe karburantet.