Për afro dy vjet shtëpitë e pleqve janë duke u furnizuar me artikuj ushqimorë nga kompania që dyshohet se i ka ISO certifikatat e falsifikuara. Kompania “Beni Dona Plast” të njëjtat certifikata i ka përdorur edhe në një tender tjetër milionësh gjatë vitit 2019, e që është bërë shkas për fillimin e hetimeve preliminare. Pasi e ka nënshkruar kontratën, Task Forca Kundër Korrupsionit ka marrë shkresë nga kompania certifikuese në Gjermani, e cila thotë se dokumentet e prezantuara nga “Beni Dona Plast”, pas prillit të vitit 2018, janë të falsifikuara
Deri në dhjetorin e këtij viti, shtëpitë e pleqve do të furnizohen me ushqime nga një kompani që po hetohet për falsifikim nga Prokuroria e Shtetit. Në nëntorin e vitit 2019, Agjencia Qendrore e Prokurimit kishte nënshkruar tenderin me titull “Furnizim me artikuj ushqimorë – Kategoria 4 – Lot 1”. Tenderi peshonte afro 3 milionë euro, e fituese ishte “Beni Dona Plast”.
E njëjta kompani ka fituar tender milionësh edhe në një institucion tjetër të rëndësishëm publik. Task Forca Kundër Korrupsionit ka nisur pikërisht hetimin e këtij tenderi, që është proceduar po në vitin 2019, me pretendimin që ISO certifikatat e lëshuara nga një kompani gjermane janë të falsifikuara.
Për të verifikuar dyshimet e ngritura, KOHA ka kërkuar qasje në dokumente publike. Ka siguruar certifikatat që “Beni Dona Plast” i ka dorëzuar për të marrë pjesë në tenderin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit dhe i ka krahasuar ato me certifikatat e tenderit për të cilin po zhvillohen hetime.
Në dosje janë dy ISO certifikata: ISO 9001: 2015 dhe ISO 22000: 2005. Të dyja, sipas kompanisë “Beni Dona Plast”, janë lëshuar nga kompania gjermane “Royal Cert”. Kompania gjermane organeve të hetuesisë në Kosovë u ka kthyer përgjigje, në të cilën ka thënë se “Beni Dona Plast” në të kaluarën ishte certifikuar, por pasi certifikata ka skaduar, kompania kosovare ka falsifikuar afatin e përdorimit.
“Royal Cert”: Certifikata është komplet e manipuluar - false
KOHA ka dërguar pyetje te zyra rajonale e “Royal Cert”-it, që është përgjegjëse për Shqipëri e Kosovë, por nuk janë përgjigjur. Ndërsa në një bisedë telefonike realizuar të mërkurën, personi përgjegjës i kësaj zyre, Alfred Duma, ka thënë se edhe me herët janë pyetur për certifikatat e njëjta dhe atëherë kanë kthyer përgjigje bazuar në atë se çfarë ka deklaruar Zyra Qendrore e “Royal Cert” në Gjermani.
Shkresën e “Royal Cert”-it e ka KOHA. Aty jepen sqarime të detajuara për certifikatat. Fillimisht sqarime janë dhënë për certifikatën ISO 22000, që sipas dokumenteve që AQP-ja ia ka përcjellë KOHËS është e njëjtë me certifikatën që është përdorur në tenderin tjetër, ndaj të cilit kanë nisur hetimet për falsifikim.
“Certifikata ISO 22000 është lëshuar nga një auditor maqedonas, por që certifikata ka skaduar qysh më datë 06.04.2018”, thuhet në shkresën e Zyrës Rajonale të “Royal Cert”.
Certifikata e dorëzuar në AQP ka datën e skadimit 22 maj 2019. Në shkresën e “Royal Cert”-it të vitit 2020 thuhet se pikërisht kjo datë është e falsifikuar.
“Data 22.05.2019 që ka të stampuar certifikata në foto nuk është e saktë, ajo është e manipuluar - ndryshuar ose nga vetë kompania ose nga auditori nga Maqedonia që e ka lëshuar certifikatën. Kjo akoma po hetohet nga ‘Royal Cert International’. Kjo certifikatë është lëshuar diku nga maji i vitit 2017 rregullisht. Gjithsesi kjo certifikatë ka skaduar qysh më datë 06.04.2018 dhe nuk është e vlefshme pas kësaj date. Data 22.05.2019 që ka certifikata nuk është e saktë, nuk përputhet. Dikush e ka ndryshuar”, thuhet në këtë shkresë.
E për certifikatën tjetër: ISO 9001: 2015, në shkresën e para dy vjetëve, Zyra Rajonale e “Royal Cert“-it deklaronte se është plotësisht e falsifikuar dhe nuk ka të bëjë fare me kompaninë e tyre.
“Certifikata ISO 9001 nuk ka lidhje fare me ‘Royal Cert’. Është komplet e manipuluar - false. Ajo mund të jetë e manipuluar ose nga vetë kompania ose nga auditori maqedonas. Kjo po verifikohet më tej nga ‘Royal Cert’”, thuhet në këtë shkresë.
KOHA ka provuar ta kontaktojë pronarin e kompanisë “Beni Dona Plast”. Pyetjet fillimisht i ka drejtuar në e-mailin zyrtar të kompanisë, por nuk ka marrë përgjigje. Pastaj është telefonuar direkt pronari Ragip Mustafa. Ai ka thënë se është i zënë dhe se do ta telefonojë redaksinë pasi të lirohet, por një gjë të tillë nuk e ka bërë as një javë pas përpjekjes dhe pritjes për të marrë qëndrimin e tij. Më pas është kontaktuar avokati i tij, Besnik Berisha. Ai ka thënë se nuk dëshirojnë të deklarohen, për shkak se i kanë dorëzuar në hetuesi faktet në lidhje me këtë çështje.
Zejna: Nëse kontrata është lidhur përmes falsifikimit duhet të anulohet
Kompanisë “Beni Dona Plast” i ishte kërkuar nga “Royal Cert International” që t’i largonte nga përdorimi certifikatat që mbanin firmën e saj.
“Ne kemi gjetur dy certifikata që i ka përdorur kompania juaj, që deklarojnë që ju jeni certifikuar nga ne për ISO 190001: 2015 dhe ISO 22000: 2005, të dyja të vlefshme deri më 22.05. 2019. Këto certifikata nuk janë lëshuar nga ne dhe prandaj janë të falsifikuara dhe jovalide. Ju duhet menjëherë të ndaloni përdorimin e tyre dhe t’i largoni, përndryshe ne do të ndërmarrim veprime ligjore. Na informoni në 7 ditët e ardhshme në lidhje me hapat që ju keni bërë për largimin e këtyre certifikatave”, thuhet në shkresën që mban datën 7 janar të vitit 2020, e të cilën e ka KOHA. Kjo shkresë është e nënshkruar nga Carolin Hofner, menaxhere operacionale në këtë kompani.
Prej atëherë ka kaluar më shumë së një vit, e kompania “Beni Dona Plast” pavarësisht dyshimeve për manipulim të certifikatave ka përfituar tenderë publikë.
Për ekspertin e prokurimit Isuf Zejna kontrata do të duhej të anulohej, pavarësisht se tek pas nënshkrimit të tenderit kompania që lëshon certifikata ka thënë se ato janë të falsifikuara. Sipas tij, nëse një operator fiton tenderin me certifikata të një kompanie ndërkombëtare dhe ajo mohon se i ka lëshuar ato, operatori ekonomik nuk i plotëson më kriteret.
“Nëse kontrata është lidhur përmes falsifikimit të dokumenteve, ajo është nul (e pavlefshme) dhe duhet të anulohet. Pas konfirmimeve të kompanisë që ka lëshuar certifikatat që nuk e ka bërë një gjë të tillë, operatori nuk i plotëson kriteret. Në anën tjetër, duhet të ndiqet penalisht për veprën penale që pretendohet që e ka kryer”, ka thënë Zejna.
“Beni Dona Plast” është një ndër kompanitë më të mëdha në Kosovë dhe gati çdo vit merr tenderë milionësh nga buxheti i shtetit.
(Në pjesën e dytë mund të lexoni: Sa është vlera e tenderit që kompania “Beni Dona Plast” ka fituar nga Forca e Sigurisë e Kosovës? Si u bë shkas ky tender që të iniciohet hetimi për falsifikim të ISO certifikatave që u përdorën edhe në tenderin e fituar në Agjencinë Qendrore të Prokurimit? Si u shpërfill shkresa zyrtare e Prokurorisë gjermane që konstatoi falsifikimin e certifikatave. Pse u zvarrit hetimi për këtë kompani nga institucioni i Prokurorisë në Kosovë dhe si u shfrytëzua mungesa e aktvendimit zyrtar për hetime, që kompania të mos penalizohet në proceset e tjera tenderuese?)