Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën kanë vendosur që të kërkojnë nga Prokuroria që të hetojë procedurat tenderuese të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) në kohën e pandemisë.
Kërkesa për hetim është mbështetur edhe nga deputetët e LVV-së. Pas mbledhjes së Komisionit për Shëndetësi, kryetarja e komisionit, deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, ka thënë se si komision kanë vendosur që dosjen me dokumente për tenderët e MSH-së gjatë pandemisë ta dërgojnë në prokurori.
Sipas saj ka dyshime që gjatë kësaj periudhe ka pasur keqpërdorime në procedurat tenderuese. Ndërkohë që anëtari i Komisionit nga radhët e LVV-së, deputeti Fitim Uka, ka thënë se edhe në mbledhjen e mbajtur të martën, sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, ua ka bërë të qartë se ata si ministri u kanë bërë thirrje organeve të konkurrencës si dhe Policisë që të mbikëqyrin proceset tenderues. Por Uka ka thënë se kjo nuk ka qenë e mjaftueshëm për deputetët e opozitës, raporton KOHA.
“Tendenca e një pjese të opozitës është që të krijojë spektakël medial nga një çështje e tillë, por fatmirësisht një gjë e tillë nuk kalon pasi që vetë ministri i Shëndetësisë sot i ka bërë thirrje Prokurorisë së shtetit që të hetojë tenderët”, është shprehur Uka. Ai ka thënë se për të treguar që si LVV nuk janë kundër hetimit, sot kanë mbështetur kërkesën e deputetëve të opozitës që lënda të dërgohet në Prokurori.
Ministria e Shendetesise në një përgjigje për KOHËN ka bërë të ditur se dy here i ka bërë thirrje Drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike dhe Autoritetit Kosovar të Konkurrencës që të hetojnë abuzimet e çmimeve për mjete mbrojtëse.
Thirrja e parë ishte bërë më 10 mars.
Këtë kërkesë e ka përsëritur zyrtarisht me shkresë edhe më 12 maj, është thënë nga kjo ministri.
Edhe
Reshitaj: Çmimet e larta e me pak konkurrentë, ndër arsyet pse tenderët e MSH-së do të hetohen nga Prokuroria
“… ndërkohë që edhe përmes mediave dhe forma tjera është përsëritur kërkesa për ta hetuar çdo dyshim eventual. MSH-ja ka bashkëpunuar gjatë kësaj kohe me institucionet e hetuesisë, por edhe më institucionet tjera dhe ka ofruar dëshmi për secilën çështje të ngritur, me qëllim që të pasqyrohet e vërteta rreth këtyre çështjeve dhe për këtë ta thonë fjalën institucionet kompetente dhe jo individë, grupe interesi dhe palë tjera të inkuadruara për të penguar punën e MSH-së në menaxhimin sa më korrekt të pandemisë COVID-19, në emër të gjoja luftës kundër korrupsionit”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
-
Reshitaj kërkon nga prokuroria hetim lidhur me tenderët e MSH-së gjatë pandemisë
-
Haxhiu pyet ministrin Vitia nëse është intervistuar nga Prokuroria
-
Drejtori i SHSKUK-së nis raportimin para Komisionit për hetimin e menaxhimit të pandemisë
-
Partitë opozitare të gatshme që ta shqyrtojnë Projektligjin për COVID-19