Komisioni për Buxhet dhe Financa e ka shqyrtuar të premten vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e normës së tatimit të akcizës së duhanit. Disa prej deputetëve kanë qenë kundër këtij vendimi, kurse disa të tjerë pro.
Procesi i votimit ka shkaktuar konfuzitet mes anëtarëve të Komisionit. Pesë vota për dhe pesë abstenime ka qenë rezultati i votimit, por që asnjëri prej deputetëve nuk pati njohuri nëse me këtë votim u miratua vendimi apo jo, shkruan sot Koha Ditore.
Për këtë shkak kanë vendosur që të kërkojnë interpretim ligjor nga Zyra e Kuvendit, duke e lënë pezull rezultatin e votimit, njëherësh edhe vendimin e Qeverisë.
Për të raportuar rreth këtij vendimi Komisioni ka ftuar zëvendësministrin e Financave, Fatmir Gashi. Ai ka thënë se duhet të përkrahet industria e duhanit pasi që, sipas tij, do të garantojë eksport.
Ka shtuar se në muajin shkurt të këtij viti, Zyra e kryeministrit ka marrë një letër nga Oda Ekonomike, e cila ia ka bashkangjitur një analizë të detajuar lidhur me situatën e industrisë së duhanit./ D. Neziri
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)