Komisioni Evropian nuk ka komentuar në mënyrë direkte deklaratat e presidentit të Serbisë për planet për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër dhe nëse një gjë e tillë do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt integrimeve evropiane. Në vend të kësaj zëdhënësja e BE-së për çështje të jashtme, Annita Hipper, vetëm ka rikujtuar se deklaratat e tilla nuk e ndihmojnë normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ndërsa ky normalizim është parakusht për progresin drejt BE-së për të dyja palët.
Gazetari në konferencë për shtyp në Bruksel bëri pyetje nëse Komisioni Evropian mund të thotë se deklaratat në Serbi për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër mund të kenë pasoja për procesion e integrimit të Serbisë në BE.
“Do të nisi me çështjen kryesore, ajo është deklarata e bërë, përfshirë ajo për ndryshimin e rrjedhës së lumit. Këto veprime nuk mbështet qëllimin për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo mund të bëhet vetëm përmes dialogut. Po ashtu rikujtojmë se progresi në dialog mes Beogradit dhe Prishtinës është parakusht për avancim në rrugëtimin Evropian”, është përgjigjur Anita Hipper.
Gazetari pastaj bëri krahasimet me reagimin që Komisioni Evropian kishte në rastin kur në Shqipëri shpërthyen protestat kundër një plani ndërtimi në Zvërnec kur thanë se projekti në Zvërnec, nëse vazhdon, do të ketë pasoja për integrimin evropian.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ariana Podesta, ka thënë se nuk duan të spekulojnë rreth ndikimeve në procesin e zgjerimit. “Nëse themi një gjë për një rast nuk mund të them të njëjtën për rastin tjetër sepse situata janë të ndryshme”, ka thënë ajo.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërcënuar se do të shikojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër duke kërcënuar me fjalët “të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët pastaj”. Ndaj kësaj kanë reaguar edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Por nga BE-ja nuk ka pasur reagime.
DASH-i për deklaratën e Vuçiqit për lumin Ibër: Normalizimi Kosovë-Serbi është i domosdoshëm
Departamenti amerikan i Shtetit ka reaguar lidhur me deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke thënë thënë se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbeten prioritete të Shteteve të Bashkuara.
“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është pjesë e domosdoshme e këtij procesi”, ka deklaruar zëdhënësi i DASH-it për Radio Evropën e Lirë.
Reagimi i Departamentit amerikan të Shtetit vjen pas deklaratave të Vuçiqit, i cili ka kërcënuar se Serbia mund të shqyrtojë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër
“Të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët pastaj”, ka thënë Vuçiqi.
Deklarata nxiri reagime në Kosovë e Shqipërisë, përfshirë kryeministrin Edi Rama. E më herët sot, Komisioni Evropian nuk ka komentuar në mënyrë direkte deklaratat e Vuçiqit dhe nëse një gjë e tillë do të ketë pasoja për rrugëtimin e Serbisë drejt integrimeve evropiane. Në vend të kësaj zëdhënësja e BE-së për çështje të jashtme, Annita Hipper, vetëm ka rikujtuar se deklaratat e tilla nuk e ndihmojnë normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ndërsa ky normalizim është parakusht për progresin drejt BE-së për të dyja palët.