Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në Shqipëri, Ardi Veliu, ka firmosur ndryshime në strukturën e drejtorive vendore.
Ndryshimi më i rëndësishëm shihet ai i zgjerimit të kompetencave të komisariateve të rretheve, të cilat do hetojë edhe ngjarjet e rënda kriminale si vrasjet, të cilat deri tani bëheshin nga drejtoritë e qarqeve.
Reforma ka prekur edhe sektorët për drogën, krimin ekonomik dhe trafiqet, të cilat mblidhen në një sektor. Ndërsa sektori i rendit do ketë në varësi sallën operative, seksionet e rendit dhe rrugoren.
Ndryshim i rëndësishëm është edhe ai për komisariatet rrugore, të cilët, sipas strukturës së re nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, marrin pavarësi. Policia Rrugore do jetë e pavarur nga drejtoritë vendore të policisë, por do të komandohen direkt nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, ndryshime ka edhe sa i takon pozicioneve të nëndrejtorëve të policisë në qarqe. Çdo drejtori do ketë një drejtor të përgjithshëm dhe dy nëndrejtorë. Skema pilot do eksperimentohet fillimisht në Qarkun e Elbasanit.
Struktura e re e drejtorive vendore parashikon rritjen e rolit të inspektorit të zonës, ndryshe nga sa jemi mësuar ta shohim deri tani. Një komisariat i një rrethi të vendit do ndahet në zona policore. Kjo zonë policore do këtë policinë për hetimin e krimeve, trafiqeve dhe rendin, çka do të thotë se do jenë tre inspektorë zone. Kjo shihet si një masë për parandalimin dhe zbulimin e veprave kriminale në një kohë më të shpejtë.