Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, Angelo Michele Rusticcia, e ka quajtur sfidues këtë vit sa i përket situatës së sigurisë në vend.
Në përfundim të mandatit të tij në Kosovë, Ristuccia ka thënë në një konferencë për media se KFOR-i do të vazhdojë rolin në terren me trupa shtesë që do të vinë së shpejti.
“Ka qenë një vit tejet sfidues për ne. Kjo krizë ka kërkuar orvatje ushtarake dhe diplomatike për të krijuar situatë më stabile. Situata është bërë më e ndërlikuar për shkak të disa faktorëve, mosbesimit mes palëve, çështjeve të pazgjidhura të gjata, narrativave toksike gjatë këtyre javëve, janë ndërmarrë shumë veprime. Trupa shtesë do të vazhdojnë të vijnë edhe nga aleatët tjerë”, ka thënë ai.
Ristuccia ka theksuar se vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë paqe në rajon, duke theksuar se situata tani është më e qetë se që ka qenë disa javë më parë.
E për logot e KFOR-it që u gjetën pas sulmit në Banjskë e që ishin përdorur nga sulmuesit serbë, Ristuccia ka deklaruar se KFOR-i po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme.
“Janë duke u bërë hetime dhe kemi ndërmarrë të gjitha masat e duhura për të zvogëluar rrezikun e asaj që ne e quajmë ‘sulm nën flamur të rremë’”.
I pyetur se si ka mundur të hyjë në Kosovë gjithë sasia e armatimit që është konfiskuar nga Policia e Kosovës, gjeneralmajori ka thënë se ende janë duke u bërë hetime, e se parë nga sasia dhe lloji i armatimit dihet që qëllimi i sulmit ka qenë destabilizimi.
Ai ka theksuar se për shkak të terrenit jo të mirë, nuk është e lehtë të kontrollohen të gjitha, dhe se tereni kryesisht malor lë hapësirë për qarkullime të shumëfishta.
“Hetimet janë duke vazhduar për ngjarjen në Banjskë. Ne jemi prezentë edhe në veri të Kosovës dhe po zbatojmë mandatin. Kemi një marrëveshje që tregon kush çka bën dhe ne e respektojmë. Tereni është i komplikuar, nuk është e lehtë të kontrollohen të gjitha terrenet, gjithë vija administrative”, ka thënë ai.