Njëri ndër ta, plak, me xhaketë të vjetëruar ngjyre kafeje, të tillë çfarë kanë të gjithë pleqtë tanë, në dorën e djathtë, që i ishte ngrirë dhe shtangur në ajër, kishte të shtrënguar një degë shkurreje. Fytyra e mekur nuk tregonte dhimbje, por ashtu e qetë, e përgjakur, e mbuluar në tepe me flokët e thinjur, vetëm përcillte fatin e lig të tij. Sulmi serb dhe ekzekutimi i dhjetëra civilëve shqiptarë është bërë pas lirimit të ushtarëve të “UJ”-së që janë mbajtur nga forcat e UÇK-së dhe me gjithë shpresat për qetësimin e situatës, në prag të kaosit, sërish kërcënon me eskalim të situatës dhe fillim të luftës së përgjithshme.
Reçak, 16 janar 1999 – 23 trupa të civilëve të masakruar shqiptarë qëndronin të shtrirë të shtunën në mëngjes në një bregore mbi Reçak, fshat në dalje të Shtimes.
Me ndihmë të Ushtrisë “jugosllave” me arsyetimin e kërkimit të një “bande terroriste”, forcat serbe, në orët e hershme të ditës së djeshme, kanë filluar me sulmin kundër këtij fshati.
Të moshës prej 12 deri në 80-vjeç, viktimat sot përshkojnë fshatin; nëpër shtëpi, në shpate kodrash, pranë shtëpive – fshatarët numërojnë kufomat e të afërmve të tyre.
Lagje për lagje, shtëpi për shtëpi, fshatarët e Reçakut të shtunën numëronin kufomat e të afërmve të tyre. Katër janë nga familja Haxhaj: këta janë dy vëllezër, këta të tjerët janë babë e bir, këta të tjerët janë të një shtëpi; rrëfente një fshatar që kishte shpëtuar nga ekzekutimi i djeshëm nga policia serbe, duke identifikuar grumbullimin e fshatarëve të masakruar në lugun e Kodrës së Babushit.
Ekzekutimi
Shtatëmbëdhjetë kufoma të grumbulluara në një vend, me duar të shtrënguara, gojëhapura, kokëshpuar nga plumbat e shtënë nga afërsia, ishin vetëm disa nga më se 48 viktimat e sulmit të djeshëm të policisë e ushtrisë serbe kundër fshatit Reçak të Shtimes.
Katër trupa të përgjakur të fshatarëve me sy të nxjerrur, prej të cilëve të paktën njëri i masakruar me sëpatë ndodheshin në shtegun në krye të bregores të ekzekutuar, sipas të gjitha gjasëve para 19 të tjerëve të cilët të ekzekutuar ishin hedhur pranë njëri-tjetrit disa metra më tutje dhe trupat e tyre tashmë ishin ngrirë.
Me leje të identifikimit pranë kokave të zhbiruara, kuleta të zbrazëta (ekzekutori edhe të vdekurve i ka vjedhur), paketa të zbrazëta cigaresh të hedhura pranë, shkrepsa, një krahër, korpuset e ngrira nga të ftohti preheshin ashtu siç kanë vdekur kur janë qëlluar.

Një kishte syrin e nxjerrë, një ishte me zemër të shkulur, një me kokë të prerë...
Njëri ndër ta, plak, me xhaketë të vjetëruar ngjyre kafeje, të tillë çfarë kanë të gjithë pleqtë tanë, në dorën e djathtë, që i ishte ngrirë dhe shtangur në ajër, kishte të shtrënguar një degë shkurreje. Fytyra e mekur nuk tregonte dhimbje, por ashtu e qetë, e përgjakur, e mbuluar në tepe me flokët e thinjur, vetëm përcillte fatin e lig të tij.
Një tjetër, mbi të tridhjetat, në ballë kishte një vrimë të madhe plumbi, goditja e të cilit ia kishte prishur edhe hundën. Në majë të grumbullit të kufomave, katër të rinj shtriheshin të përdredhur, të thyer nga rënia e plumbave të shkrehur nga afërsia. Nën ta vazhdonin të hedhur një mbi një trupat e të ekzekutuarve të tjerë përgjatë tërë lugut të kodrës.
Prapa kodrës, në dhomën e shtëpisë, kufoma e fshatarit, i moshës të dyzetave, që ishte kthyer nga Gjermania, shtrihej me fyt të prerë. Pranë tij ishte hudhur kuleta e zbrazur dhe shkyer, me lejen e tij të njoftimit afër trupit dhe një shami të lidhur për fyti.
Në oborr të një shtëpie, tre pleq shtriheshin buzë fundit të shpatit. Pa i bërë disa hapa përpjetë kodrës ishin qëlluar. Me xhaketa të mbuluara me ngricën e mëngjesit, qime të përshkruara me kristale bore, dy pleq me plisa në kokë, njëri prej tyre në tirk – ishin vrarë pranë njëri-tjetrit. Shtriheshin me sy të hapur. Një tjetër, i qëlluar në kokë nga afërsia, shtrihej në shpinë në oborrin e tij. Më tutje, pas shtëpisë, një plak tjetër ishte qëlluar po ashtu në kokë. Pranë kokës së tij gjendej plisi, me shall të përgjakur.
Rrëfimet
“Rreth orës pesë të mëngjesit janë dëgjuar të shtënat e para”, thotë plaka, e cila bashkë me rreth 20 gra të tjera është mbajtur në shtëpi nga policia, derisa meshkujt e tubuar janë nxjerrë e pastaj janë dërguar në kodër të Babushit, ku janë ekzekutuar.
Ajo tregon se në shtëpinë e Sadik Osmanit, ku janë tubuar të gjithë, pas orës tetë të mëngjesit policia serbe ka hyrë në shtëpi dhe i ka ndarë meshkujt nga femrat.
“Tre policë të maskuar kanë ardhur dhe njëri prej tyre ka hyrë në shtëpi. Me ta ka qenë dhe njëri i cili herë fliste shqip herë serbisht. I kanë nxjerrë meshkujt një nga një dhe i kanë lënë në oborr”.
Djaloshi, i cili ka mbijetuar ekzekutimin, afrohet duke treguar nga një dru në dorën e tij.
“Me këtë na kanë rrahur”, thotë ai. “Na kanë nxjerrë nga shtëpia dhe na kanë shtrirë përtokë këtu në oborr dhe na kanë dërrmuar dru”. Ai tregon kokën e përgjakur ku e kanë goditur me dru.
Meshkujve të grumbulluar u është thënë të ngjiten përpjetë bregut.
“Kur jemi nisur kam parë se në majë të bregut janë policët dhe kam filluar të ik në drejtim tjetër”, thotë djaloshi. Ata që kanë vazhduar rrugën janë mbledhur nga policia në majë të bregut dhe janë ekzekutuar.
“Djalin e kam lart”, thoshte plaka, e cila me lot të thatë në sy, nuk mund të ngritej në këmbë. Ngushëllohej nga kunata e saj, e cila i rrinte pranë. “S’ke ç’t’i bësh”, ia bënte kjo duke e rikujtuar se atë dialë ia ka falur. “Më dhimbset edhe mua, po s’ke ç’t’i bësh”.
Të ulur me plakun e saj, në pragun e shtëpisë, vajtonin djalin e humbur që e kishin marrë si “dhuratë” të kunatës dhe vëllait. Nuk e kemi më. Na iku. E kisha gati për ta bërë të tretin. Nuk u bë.
Nëna e djaloshit 12-vjeçar, Halim Beqiri, i cili është vrarë pranë babait, me një qetësi paksa irituese tregonte për të birin.
“Më tha të shtyhem pak më anash, derisa të shtënat nuk kishin të ndalur. I thash të ruhet për vete. Kur u ktheva kishte rënë. Nuk lëshoi zë”.
Të shtrira në një odë, tri kufoma ishin të radhitura pranë njëra-tjetrës: Halimi 12-vjeçar, Riza Beqiri 54-vjeçar dhe Zeneli 21-vjeçar.

Sulmi
Mbi vendin ku janë vrarë ata, ngritej kodra ku fillimisht janë pozicionuar forcat serbe. Të udhëhequra për t’i anashkaluar pozicionet e UÇK-së, fshatarët pohojnë se këto forca kanë hyrë nga ana e Carralevës, nëpërmjet fshatit Belincë, dhe në orët e hershme të së premtes kanë filluar granatimet dhe të shtënat. Pas një kohë të shkurtër forcat serbe, të ndihmuara nga “UJ”-ja, kanë hyrë në fshat, kanë filluar me tubimin e fshatarëve dhe pas ekzekutimit të tyre, rreth orës 16:00 të pasdites, janë tërhequr.
Sulmi serb dhe ekzekutimi i dhjetëra civilëve shqiptarë është bërë pas lirimit të ushtarëve të “UJ”-së që janë mbajtur dhe forcat e UÇK-së dhe me gjithë shpresat për qetësimin e situatës, në prag të kaosit, sërish kërcënon me eskalim të situatës dhe fillim të luftës së përgjithshme.
Pjesëtarët e Qeverisë serbe, për të cilët mendohet se me praninë e tyre në Prishtinë, dukshëm kanë tensionuar situatën dje janë tubuar në ndërtesën e të ashtuquajturit Qarku i Prishtinës. Masakra e re, sërish, ndodh gjatë fundjavës, kur ambasadat e huaja nuk punojnë dhe bëhet në hijen e qetësisë së rreme pas lirimit të ushtarëve të “UJ”-së.
Mbi të gjitha, masakra e re bëhet në vazhdën e thirrjeve të nënkryetarit të Qeverisë së Serbisë, Vojislav Sheshel, se serbët “nuk do të lëshojnë Kosovën”. Shesheli tashmë dy ditë është në Prishtinë.
Pjesëtarë të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë më kot janë përpjekur dje që të hynë në zonën e luftimeve, pasi që janë ndaluar nga policia serbe. Dështimi i Misionit verifikues në mbajtjen e armëpushimit, i cili është tashmë joekzistent, edhe më tej pamundëson përpjekjet diplomatike në gjendjen e çfarëdo zgjidhjeje politike. Të zënë në mes, verifikuesit e paarmatosur pamundësojnë edhe ndonjë intervenim eventual të NATO-s, i cili mund të ndodhë vetëm pas tërheqjes së verifikuesve. Ndërkohë, forcat serbe, të cilat kanë dëshmuar se mund të ndalojnë veprimin e lirë të verifikuesve, i kanë duart e lira në kryerjen e aksioneve “të kërkimit të bandave terroriste” dhe “hetimeve për vrasjen e policëve serbë”.
Sipas fshatarëve e tëra ka ndodhur mbrëmë kur një numër i madh fshatarësh ndër të cilëve edhe 23 fshatarë të masakruar ishin marrë peng nga pjesëtarët e forcave serbe të sigurimit të cilët kishin depërtuar në fshat të përkrahur nga topat dhe armët e tjera artilerike të pozicionuara më tutje në vendin të cilit fshatarët i referoheshin si “Mali i pishave”, në afërsi të fshatit Reçak.
Fshatarë të ndryshëm të fshatit rrëzë malit cilët i kanë shpëtuar zjarrit të artilerisë duke kaluar mbrëmë natën nën qiell të hapur kanë bërë të ditur se zjarri i artilerisë kishte filluar mbrëmë, rreth orës 19:00.
Ata pohonin se fshatarët të cilët sot janë gjetur të masakruar mbrëmë janë marrë peng nga pjesëtarë të forcave serbe të sigurimit dhe në fillim është menduar se ata janë dërguar në Ferizaj sipas të gjitha gjasëve në stacionin e policisë.