Arbëri

Koci thotë se nëse fiton Trumpi do të vështirësohet komunikimi i Kosovës me SHBA-në

Milazim Koci

Analisti Melazim Koci ka thënë se nëse zgjedhjet presidenciale në Amerikë i fiton Donald Trump, do të vështirësohet komunikimi i Kosovës me SHBA-në. 

Të martën në “Konfront” të KTV-së, Koci ka thënë se me fituesin e ri të zgjedhjeve, do të fillojë një epokë tjetër e raporteve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara. 

“Nëse fiton z.Trump, mendoj se marrëveshja franko-gjermane ka vdekur. Ai nuk do ta përfillë atë. Mendoj se marrëveshja franko-gjermane do të hiqet nga tavolina, tani çfarë mund të sjellë ai në mënyrë të njëanshme pa koordinim, këtu vetëm mund të spekuloj, nuk mund ta di. Por, një gjë është evidente, me largimin e z.Biden nga Shtëpia e Bardhë ka përfunduar një epokë e raporteve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Doza e notave personale, të ndërlidhjes personale me Kosovën përfundon. Nga momenti që fiton, ta zëmë, z.Trump, mendoj se udhëheqja e Kosovës do ta ketë më të vështirë komunikimin me Uashingtonin sesa deri më tani. Fillon një epokë tjetër”, ka thënë ai. 


Sopi thotë se me Trumpin mund të rikthehet çështja e këmbimit të territoreve Kosovë-Serbi

Opinionisti Agim Sopi ka thënë se me Donald Trumpin president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës çështja e këmbimit të territoreve Kosovë-Serbi mund të rikthehet.

Ai ka thënë se nuk mund të ndodhë një “ndarje e frikshme si në kohën e Millosheviqit” por se “një lloj këmbimi i territoreve që e thoshte Thaçi mund të rikthehet”.

“Veriu është lënë nyje e pazgjidhur qëllimisht nga bashkësia ndërkombëtare - kurse ne nuk kemi pasur fuqi për t’ia vënë një pikë, as Serbia nuk ka pasur fuqi – është lënë një konflikt i ngrirë që fatkeqësisht ka shërbyer si strehë e dështimeve politike të tre faktorëve, edhe të serbëve, edhe të shqiptarëve, edhe të bashkësisë ndërkombëtare. Tash i ka ardhur koha që ajo nyje të zgjidhet sepse po e pengon jo veç rajonin, por edhe politikat e tjera të gjera”, ka thënë ai në “Konfront”.


Sopi: Me Harrisin shkojmë drejt luftës së tretë botërore, e Trumpi do ta evitojë atë

Opinionisti Agim Sopi ka thënë se nëse president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës zgjidhet Kamala Harris bota do të shkojë drejt një lufte të tretë botërore, e nëse fiton Donald Trump, sipas tij, ai do ta shmangë atë luftë.

Sopi ka shtuar se Trumpi do ta mbyllte luftën Rusi – Ukrainë, në dëm të Ukrainës, e edhe atë në Lindjen e Mesme.

“Gjashtë muajt e parë Trump do të përballet me konfliktin Rusi-Ukrainë dhe do ta mbyllë atë konflikt, fatkeqësisht në dëm të Ukrainës. Do ta mbyllë edhe konfliktin në Lindjen e Mesme, ndoshta aty mund të bëhet edhe ndonjë luftë e vogël mbi Iranin dhe do ta pacifizojnë Iranin përfundimisht, Amerika bashkë me Izraelin, dhe do ajo do të jetë fushëbetejë ku Amerika do t’i tregojë muskujt që megjithatë është liderë e vetme dhe pa konkurrencë në botë si fuqi ushtarake”, ka thënë ai në “Konfront”.

Sopi ka treguar më tej për politikat që mund të ndjekin dy kandidatët me marrjen e mandatit.

“I ashtuquajturi president jokonvencional dhe i paparashikueshëm mund të vishet me barrën të hapave të paparashikueshëm sepse mund ta bëjë edhe taksën 60%, mund t’i tërheqë edhe krejt licencat dhe fabrikat e veta nga Kina... nëse vijnë demokratët dhe bëjnë politikën tërheq e mos këput siç e kanë bërë këto dy vjet luftën e Ukrainës, ky formacion që ideologjikisht do të veshet edhe me fuqinë ushtarake dhe ekonomike dhe do jetë fuqia e parë botërore që ose do përballet me një luftë finale Amerika ose do tërhiqet brenda kontinentit të vet. Nëse zgjidhet Harris, ne do shkojmë drejt luftës së tretë botërore pashmangshëm dhe nëse zgjidhet Trump do ta evitojë luftën e tretë”.


Gashi-Mehmeti: Harris pritet të përkrahet nga gratë amerikane, shkak politika e saj për abortin

Gazetarja Flutura Gashi-Mehmeti, ka thënë se kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, Kamala Harris, pritet të përkrahet nga gratë amerikane për shkak të politikës së saj për abortin. 

Të martën në “Konfront” të KTV-së, Gashi-Mehmeti ka thënë se ndryshe nga Harris, kundërkandidati Donald Trump, shihet si personi që mund të ndikojë në çështjet e ekonomisë dhe emigracionit. 

“Sondazhet e mediave amerikane dhe të tjerave nëpër botë kanë nxjerrë se Donald Trump shihet si personi kryesor që do të mund të ndikonte në çështjet e ekonomisë që janë më të rëndësishmet tek amerikanët këto ditë, por edhe emigracioni, pasi që ka folur shumë gjatë fushatës së tij duke thënë se do të dëbojë shumë emigrantë të paligjshëm dhe se do të ndërtojë mur të madh kryesisht me Meksikë, aty ku bëhet kalimi më i madh i emigrantëve për në Amerikë. Kjo politikë besohet që do t’i ndihmojë Trumpit për të marrë mbështetjen e amerikanëve. Donald Trumpi shihet si kryesor në këto dy aspekte, përderisa Kamala Harris shihet se do të marrë mbështetje për çështjen e ngritur në mbrojtje të abortit dhe në mbrojtje të demokracisë. Besohet se mund ta ketë votën e grave, pasi ajo është avokuese e drejtave të grave për abort, gjë që është hedhur poshtë në vitin 2022 nga tre gjyqtarë që ishin emëruar nga Donald Trumpi në kohën e tij në Gjykatën e Lartë të Amerikës”, ka thënë ajo.


Koci: Rezultati do të zvarritet, do të ketë rinumërime e trazira

Analisti Melazim Koci ka thënë se pret që rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA të zvarritet dhe nuk përjashton edhe mundësinë e trazirave, siç ndodhën në janarin e vitit 2021. 

Koci ka thënë se mendon se në Pensilvani pritet të vendoset fituesi i zgjedhjeve ku po kandidon demokratja Kamala Harris me republikanin Donald Trump. 

“Kam përshtypje se rezultati do të zvarritet. Do të ketë rinumërime, kontestime, e të mos themi edhe trazira. Në rast të fitores së zonjës Harris, do të ketë trazira. Trump e ka bërë të qartë se nuk do ta pranojë rezultatin. Tash e sa muaj ka thënë se nëse nuk fiton atëherë këto zgjedhje janë të vjedhura e të manipuluara. Po e përgatit terrenin që pas zgjedhjeve, nëse nuk është fitues, të shkaktojë trazira, siç edhe bëri. Nuk është përfaqësues tipik i politikës amerikane”, ka thënë Koci në “Konfront” të KTV-së. 


Mehmeti: Fitorja e Trumpit do të jetë shkundje për Amerikën

Gazetari Gent Mehmeti ka konsideruar se fitorja potenciale e Donald Trumpit në zgjedhjet në Amerikë do të jetë shkundje për SHBA-në. 

Të martën në “Konfront” të KTV-së, Mehmeti ka thënë se beson që Trump do të fitojë në këto zgjedhje, pasi që Demokratët kanë hyrë në gjumë të thellë. 

“Mendoj se harta e Amerikës sonte do të skuqet me fitues Republikanët. Besoj se do të shërbejë si një shkundje e krejt Amerikës, në veçanti edhe të Demokratëve, pasi që kanë qenë në një gjumë të thellë edhe me presidentin Joe Biden dhe nuk u zgjua nga gjumi në janarin famëkeq të 2021-tës, e vazhduan gjumin dhe tek vonë u doli kur vendosën që Biden të mos kërkojë mandatin e dytë, por të jetë Kamala Harris”, ka thënë ai. 


Camaj: Ka ankth tek amerikanët për fituesin eventual të garës për president

Lindita Camaj, profesoreshë e gazetarisë në Universitetin e Floridës, ka thënë se për sa ka jetuar ajo në SHBA asnjëherë nuk ka vërejtur në zgjedhje presidenciale më shumë ankth se tani.

Ajo ka shtuar se ky ankth vjen nga paqartësia sepse mundësitë për fitore janë thuajse të barabarta mes dy kandidatëve – Kamala Harris dhe Donald Trump.

“Zgjedhjet presidenciale përballen me një dozë të paqartësisë. Derisa ne flasim, secila palë ka gjasa shumë reale që ta fitojë garën, kështu që kjo situatë është duke shkaktuar ankth të madh në SHBA”, ka thënë ajo në “Konfront”.