Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Koci: Kurti ka arsye ta kritikojë Prokurorinë, por më së paku për çështjen e gjykimit në mungesë

Avokati Arianit Koci i është përgjigjur të parit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili kërkoi llogari nga Prokuroria Speciale për mosgjykimin e kriminelëve të luftës së fundit në Kosovë.

Koci përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka shkruar se Kurti ka të drejtë ta kritikojë Prokurorinë Speciale, por më së paku për çështjen e gjykimit në mungesë.

Ai thotë se amandamentimi i Kodit nga ana e deputetëve është bërë shkel e shko, pa u konsultuar me avokatë, prokurorë dhe gjyqtarë me përvojë - rrjedhimisht pa e pasur idenë se si do të aplikohet në praktikë, transmeton Koha.net.

Koci ka radhitur disa arsye pse dispozita e Kodit për gjykim në mungesë është thuaja e pazbatueshme.

Ai thotë se për personin e dyshuar që ka kryer krime lufte, Prokuroria duhet ta ketë adresën e banimit në Serbi (aty ku janë strehuar shumica e kriminelëve të luftës) dhe t’ia dërgoj të njëjtit - në mënyrë që ftesa të konsiderohet e ligjshme.

Edhe Prokuroria i përgjigjet Kurtit: Gjykimi në mungesë ka rregulla, s’mund të zbatohet me një automatizëm Arbëri Prokuroria i përgjigjet Kurtit: Gjykimi në mungesë ka rregulla, s’mund të zbatohet me një automatizëm

Sipas tij, neni 346 A, në paragrafin 4.1, parasheh në mënyrë eksplicite që personi nën hetim të jetë kërkuar në shtetin/shtetet ku supozohet të jetë sipas parimit të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar së paku pesë herë, dhe vetëm pasi që një kërkesë e tillë të jetë refuzuar apo neglizhuar tërësisht nga organet e shtetit pranues.

Koci potencon se çështja e gjetjes së adresës, dhe dispozita e lartcekur funksionon mirë, në rastin kur dy shtete kanë raporte normale ndërshtetërore.

Por, sipas tij, në rastin e Kosovës dhe Serbisë, kjo nuk funksionon.

“Serbia nuk ka fare interes as t’ia dorëzoj ftesat kriminelëve të luftës - edhe nëse prokuroria e ka adresën - as t’i ekspedojë shkresat e organeve të Republikës së Kosovës, dhe, as të bashkëpunojë në çfarëdo mënyre. Përkundrazi, Serbia vazhdimisht i pengon hetimet dhe i dekoron kriminelët që kanë kryer krime në Kosovë. Rast konkret është Lubisha Dikoviq i cili deri vonë ka qenë shef i Ushtrisë së Serbisë”, ka shkruar ai.

Ai thotë se gjatë luftës Dikoviq ka qenë komandant i Brigadës së 37 të motorizuar të Ushtrisë së Serbisë - e cila ka qenë përgjegjëse për masakrën e Rrezallës.

“Ndaj gjeneralit serb, unë personalisht e kam deponuar kallëzimin penal në vitin 2016, në Prokurori Speciale. Në atë kohë, i njëjti ka qenë shumë herë i dekoruar prej establishmentit serb - madje është pensionuar në vitin 2018, duke u dekoruar nga ana e Presidentit të Serbisë Vuqiç, me dekoratën më të lartë shtetërore që merr një oficer”, ka thënë ai, duke shtuar se gjatë ceremonisë së dekorimit, Presidenti Vuqiç ka theksuar që gjenerali Dikoviq, heroikisht iu ka kundërvënë agresionit të NATO-s gjatë vitit 1999.

Edhe Kosova gërmon për mbetje mortore, Serbia i ngre monument brigadës së kriminelëve Arbëri Kosova gërmon për mbetje mortore, Serbia i ngre monument brigadës së kriminelëve

Sipas Kocit, nën supozimin se Prokuroria e ka adresën në Serbi të kriminelit të kërkuar – duhet pesë herë të dërgoj ftesën dhe pas herës së pestë, mund të vazhdohet më tutje me procedurë.

“5 herë? Ku? Në Serbi - shtetin që po e pengon me çdo kusht hyrjen e Kosovës në Interpol? Deputetët fare nuk e kanë menduar se si do të funksionoj kjo në praktikë, dhe eventualisht sa kohë do të marrë. Prandaj, ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve para se të votohen nga ana e deputetëve duhet të analizohen mirë - duke u konsultuar me profesionist - përndryshe do të kemi probleme që t’i zbatojmë”, ka shkruar Koci, duke shtuar se “pritjet me plot të drejtë, i kemi të mëdha”.