Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KMDLNj: Shteti po zbaton standarde të dyfishta në baza etnike

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për konsumatorët e papërgjegjshëm që nuk i paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar dhe shërbimet tjera komunale, në të kundërtën, as konsumatorët tjerë nuk do të duhej t’i paguajnë faturat.

KMDLNj thekson se nëse shteti ua paguan rrymën dhe shpenzimet tjera komunale serbëve në veri të Kosovës, pa e përfillur fare gjendjen e tyre ekonomike, atëherë po ky shtet duhet t’i lirojë nga pagesa kategoritë e qytetarëve në gjendje të rëndë ekonomike apo të mbulojë një pjesë të këtyre shpenzimeve.

“KMDLNj kërkon nga institucionet e Kosovës që të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për konsumatorët e papërgjegjshëm që nuk i paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar dhe shërbimet tjera komunale, në të kundërtën, as konsumatorët tjerë nuk do të duhej t’i paguajnë faturat. Institucionet e Kosovës përkatësisht Qeveria e Kosovës duhet ta ndërprejë këtë praktikë të mbrapshtë të zbatimit të standardeve të dyfishta për qytetarë të të njëjtit vend dhe nuk do të duhej të trajtojë qytetarët sipas përkatësisë etnike apo oportunitetit politik. Serbët e veriut të Kosovës e kanë gjendjen ekonomike shumë më të mirë se pjesa dërrmuese e qytetarëve të Kosovës që janë pagues të rregullt të shpenzimeve për rrymë, ujë dhe mbeturina prandaj refuzimi për të mos e paguar rrymën është krejtësisht i natyrës politike. Edhe vendimi i qeverisë së Kosovës që t’ua paguajë rrymën serbëve, që nga përfundimi i luftës e deri më sot, nuk është për shkaqe humanitare por ekskluzivisht për shkaqe politike. Për Qeverinë e Kosovës është koha e fundit që të vendosë rregull në fushën e inkasimit të borxheve për të gjithë ata që kanë borxhe të pashlyera, pavarësisht të përkatësisë etnike dhe bindjeve politike. Çdo qytetar duhet të paguajë për rrymën e shpenzuar dhe shërbimet që i ofrohen, pa u diskriminuar në asnjë mënyrë. Nëse shteti ua paguan rrymën dhe shpenzimet tjera komunale serbëve në veri të Kosovës, pa e përfillur fare gjendjen e tyre ekonomike atëherë, po ky shtet duhet t’i lirojë nga pagesa kategoritë e qytetarëve në gjendje të rëndë ekonomike apo të mbulojë një pjesë të këtyre shpenzimeve”, thuhet nga KMDLNj.