Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), bëri thirrje të martën, që të shkarkohet ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, pas parregullsive të institucionit që udhëheq, të zbuluara nga KOHA.
KOHA tash e sa ditë ka publikuar një seri të hulumtimeve për shpërdorimin e buxhetit të Programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.
Në komunikatën dërguar mediave të martën, KMDLNJ-ja deklaroi se ministri Latifi është i papërgjegjshëm profesionalisht dhe menaxher i dobët, “që me angazhimin e tij prej aventurieri dhe bredhacaku të përmasave ndërkombëtare, vetëm sa po e thellon krizën e shëndetit publik”.
“Ministria e Shëndetësisë mban përgjegjësi konkrete për shkeljen flagrante të drejtave të njeriut përkatësisht të drejtës për jetë përmes moskrijimit të kushteve për trajtim shëndetësorë profesional në institucionet e shëndetësisë publike sikur edhe për shkak të mospagesës së faturave për trajtim në spitalet private dhe ato jashtë vendit”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Sipas Këshillit, përgjegjësia kryesore i takon MSH-së dhe nuk është arsyetim se janë trashëguar borxhe nga e kaluara.
“E mira e së mirës do të ishte që do të ishte që shteti i Kosovës të investojë në përmirësimin e gjendjes në shëndetësinë publike, në mënyrë që të mos ketë nevojë për trajtim jashtë vendit, dhe në spitalet private ky qytetarët, në mungesë kapaciteti profesional të shëndetësisë publike, shpenzojnë qindra miliona euro”, thuhet në ragim.
Të hënën reagoi edhe Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), duke thënë se po i përcjell me shqetësim raportimet e KOHËS për shpërdorimin e parave të Programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.