Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, deklaroi se është vështirë të bëhet parashikim për valët e reja të koronavirusit, por sipas tij, Klinika është e gatshme çdo herë për ofrimin e shërbimeve.
Ai u shpreh se kjo valë nuk ishte shumë e ashpër, duke shtuar se ato që vijnë do të varen sipas situatës.
“Këtë valë nuk e kemi pasur shumë të ashpër. Tash valët që vijnë në vijim varet prej situatës se si do të zhvillohet. Sigurisht se është vështirë të bëhet një parashikim. Por gjithsesi ne jemi të gatshëm për çdo valë që vjen të ofrojmë shërbime”, u shpreh ai.
Vishaj tha COVID-19 ka lënë pacientë me dëmtime të rënda të mushkërive ose pjesëve të tjera të trupit.
“Për momentin pasojat afatgjatë të Covidit në përgjithësi ekzistojnë dhe ato janë të pranishme në mesin e pacientëve tanë. Se kur do të kalojmë këtë gjendje është vështirë të japim prognozë, por sido që të jetë, duket që valët janë me një ashpërsi më të vogël. Po është më e lehtë të menaxhohen valët që i kemi pasur”, tha Vishaj.
Për linë e majmunëve, drejtori i Klinikës së Infektives shtoi se nuk kanë të dyshuar me këtë rast, ani pse një sëmundje e tillë e ka përfshirë rajonin.
“Është e vërtetë se edhe në rajon ka pacientë më këtë sëmundje por jemi duke e përcjell edhe këtë situatë dhe nëse vjen jemi të gatshëm të ofrojmë shërbimin e duhur”, tha ai.
Aktualisht, Kosova i ka tw regjistruara 1.900 raste aktive me COVID-19./EO/