Janë prej 6 muajsh të paprekura dhe të dëmtuara nga kushtet klimatike, rrugët e Klinës, ngase kanë mbetur pa mirëmbajtje.
Ibër Elezaj, drejtori i Shërbimeve Publike i Klinës tregon se kjo komunë ende nuk ka një kompani për mirëmbajtje verore rrugësh, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Janë bërë gropat rrugëve të qytetit dhe nuk kemi kompani të mirëmbajtjes. Kompania që ka qenë e ka ndërprerë kontratën nga shtatori i vitit të kaluar dhe tashti janë në procedurë gjyqësore”, thotë Elezaj.
Një operator kjo komunë shpreson ta ketë së shpejti, pasi procedurat e prokurimit janë para përfundimit. Tenderi për këtë projekt është shpallur në fillim të muajit shkurt.
Menaxheri i Zyrës së prokurimit në Klinë, Abaz Foniqi, thotë se tenderi për mirëmbajtjen verore të rrugëve është kryer dhe se sipas tij është përzgjedhur edhe operatori fitues.
Edhe
Rrugët në Rugovë mbulohen nga bora, Komuna e Pejës ende pa operator për pastrimin e tyre
Para disa ditësh është bërë edhe publikimi për dhënien e kontratës, por ende siç thotë Foniqi procedurat nuk ka përfunduar, pasi është në pritje të kalimit të afatit të ankesave të mundshme të ndonjë operatori konkurrues në këtë tender.
Deri tashti siç thotë ai ankesa nuk ka pasur dhe nëse nuk paraqitet ndonjë ankesë brenda këtij afati, do të bëhet edhe nënshkrimi kontratës me operatorin e përzgjedhur.