Arbëri

Këshilli i Sigurimit e ka opsion ndryshimin e formatit të seancave për Kosovën

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me situatën në Kosovë, e cila mbahet në fund të tetorit, do të jetë një duel presidentësh. Kosovën do ta përfaqësojë presidentja Vjosa Osmani, ndërkaq Serbinë presidenti Aleksandar Vuçiq. Përplasja eventuale mes tyre, ku temë qendrore do të jetë sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, po synohet të evitohet përmes mbylljes së seancës. Sipas një dokumenti organizatës Security Council Raport (SCR), palët po i përdorin seancat për të shtyrë përpara narrativa që nxisin paqëndrueshmëri rajonale. Aty thuhet se Brazili, si presidente e Këshillit mund të shqyrtojë ndryshimin e formatit të takimit nga një seancë e hapur në konsultime të mbyllura

Këshilli i Sigurimit do ta shqyrtojë mundësinë e ndryshimit të formatit të seancave për Kosovën. Me qëllim të shmangies së përplasjeve dhe promovimit të një dialogu më konstruktiv mes Kosovës e Serbisë për zbatimin e marrëveshjes bazë të Brukselit, mundësia e mbylljes së seancave do të konsiderohet gjatë Presidencës së Brazilit.

Në raportin e organizatës Security Council Raport (SCR), e cila për mision ka avancimin e transparencës dhe efektivitetit në Këshill të Sigurimit të OKB-së, thuhet se Kosova dhe Serbia po i shfrytëzojnë seancat për të proklamuar narrativa kundërthënëse.

“Një çështje tjetër kyç është se si të promovohet dialogu konstruktiv për këtë çështje të ngarkuar politikisht në Këshill. Pavarësisht progresit të bërë në fillim të këtij viti në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, tensionet ishin evidente gjatë takimit të Këshillit më 27 prill mbi situatën në Kosovë. Të dyja palët përdorën seancën e hapur të Këshillit për të shtyrë përpara narrativat e kundërta rreth nxitësve të paqëndrueshmërisë rajonale”, shkruan në raportin e publikuar këtë muaj, e në të cilin përfshihen zhvillimet e shtatorit.

Mungesa e diskutimeve të sinqerta

Tutje në dokument përmendet kërkesa që Shqipëria ua kishte bërë palëve ta lënë retorikën, e cila prek perspektivat historike mes Kosovës e Serbisë.

“Kah fundi i takimit Shqipëria mori fjalën për t'i nxitur pjesëmarrësit të lëvizin përtej debateve të rrënjosura ‘për perspektivat historike, për të cilat ne nuk pajtohemi’ dhe në vend të kësaj të përqendrohen në hapat pozitivë të bërë muajt e fundit. Si presidente e Këshillit në tetor, Brazili mund të shqyrtojë ndryshimin e formatit të takimit nga një konferencë e hapur në konsultime të mbyllura. Kjo mund të lejojë një diskutim më të sinqertë të sfidave për zbatimin e marrëveshjes së shkurtit”, shkruan në raport.

Në orarin e ngjarjeve të publikuar në faqen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për këtë muaj është paraparë edhe diskutimi rreth Kosovës, që pritet të mbahet më 23 tetor. Por aty nuk shkruan nëse diskutimi do të jetë i hapur apo jo. Zakonisht paralajmërohet paraprakisht kur diskutimet mbahen të mbyllura.

Kosovën në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit do ta përfaqësojë presidentja Vjosa Osmani. Në Presidencë kanë thënë se sipas informacioneve që kanë, seanca do të jetë e hapur.

“Presidentja Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në këtë seancë të KS të OKB-së. Sipas informatave që posedojmë ne, seanca do të jetë e hapur. Për të ndryshuar formatin mund të vendosin anëtarët e KS të OKB-së”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani.

Nga ana tjetër, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka konfirmuar për mediat serbe se do të marrë pjesë më 23 tetor në Nju- Jork, në Seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Statusi i serbëve në veri, burim tensionesh”

Megjithëse në raport nuk është përfshirë sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kjo ngjarje pritet të jetë tema qendrore në debatin për Kosovën.

Megjithëkëtë në pjesë të ndryshme të raportit theksohen tensionet e vazhdueshme dhe paqëndrueshmëria e situatës së sigurisë në veri të vendit.

“Pavarësisht progresit në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja që synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, statusi politik i serbëve në veri të Kosovës ka mbetur një burim tensioni. Shqiptarët etnikë përbëjnë më shumë se 90 për qind të popullsisë së Kosovës, por janë një pakicë e vogël në veri, ku jetojnë mbi 50,000 serbë etnikë. Më 21 prill partia kryesore politike në Kosovën e veriut të dominuar nga serbët, Lista Serbe, i kërkoi komunitetit etnik serb të bojkotonte zgjedhjet e planifikuara për 23 prill në katër komuna veriore, duke i etiketuar ato si ‘jodemokratike’, pasi u tërhoqën shumë kandidatë etnikë serbë nga zgjedhjet. Rrjedhimisht, vetëm katër për qind e votuesve me të drejtë vote morën pjesë”, shkruan në raport.

Aty përmenden edhe tensionet e majit dhe korrikut pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale nën asistencën e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

“Tensionet përshkallëzuan më 26 maj kur serbët e Kosovës në tri komunat veriore u përpoqën të bllokojnë shqiptarët etnikë të sapozgjedhur për të hyrë në ndërtesat komunale. Situata u kthye

në paqëndrueshmëri në qytetin e Zveçanit, ku ndërhyrja e policisë çoi në konfrontime me protestuesit, duke rezultuar në dhjetëra të plagosur. Në përgjigje të përleshjeve, Vuçiq e vuri ushtrinë serbe në gatishmëri të lartë dhe urdhëroi lëvizjen e trupave serbe në kufirin e Kosovës”, shkruan në raport. “Situata u përkeqësua më tej më 29 maj, kur NATO-ja e drejtuar nga Forca e Kosovës (KFOR) ndërhyri për të shpërndarë protestuesit serbë të Kosovës, duke çuar në shumë lëndime, përfshirë rreth 93 trupa të NATO-s. Në të njëjtën ditë, NATO-ja lëshoi një deklaratë duke dënuar ‘sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it’ në veri të Kosovës”.

Detyrimi për marrëveshjen e obligueshme i përshkruhet vetëm Kosovës

Tek flet për rëndësinë e marrëveshjes, detyrimi që ajo të jetë ligjërisht e obligueshme, sipas raportit të SCR-së, i përshkruhet vetëm Kosovës.

“Prioriteti kryesor i Këshillit është ruajtja e stabilitetit në Kosovë dhe promovimi i depërshkallëzimit të tensioneve në veri. Ajo do të vazhdojë të monitorojë përpjekjet diplomatike për avancimin e dialogut Beograd-Prishtinë dhe çdo përpjekje drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme për Kosovën. Për këtë qëllim anëtarët e Këshillit mund të konsiderojnë miratimin e një deklarate për shtyp duke përshëndetur marrëveshjen e 27 shkurtit për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe duke u bërë thirrje të dyja palëve që të zbatojnë marrëveshjen dhe aneksin e saj në mirëbesim”, thotë raporti.

Pas rastit Banjska, udhëheqësit e Kosovës ndërmorën një betejë diplomatike kryesisht në mediat ndërkombëtare për ta denoncuar Serbinë si organizatore të sulmit.

Në një intervistë për CNN-in më 3 tetor, presidentja Vjosa Osmani tha se mungesa e ekuilibrit dhe drejtësisë në dialog ka inkurajuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ta sulmojë Kosovën. Sipas saj, presidenti serb ka qenë i bindur se do të shpëtojë pa pasoja.

Por një intervistë për mediumin e njëjtë e ka dhënë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ka thënë se Serbisë nuk i është dashur fare “incidenti në Kosovë”. Vuçiqi, pa përmendur emrin e Radoiçiqit, u përgjigj se “sigurisht do të mbahen përgjegjës gjithë njerëzit që kryejnë vepra penale”. Vuçiqi në deklarimet për mediat ndërkombëtare i ka përsëritur akuzat ndaj autoriteteve të Kosovës për kinse arrestim dhe dëbim të serbëve e mospërmbushje të marrëveshjeve të Brukselit.

Me gjithë kërkesën e Kosovës që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin në Banjskë, komuniteti ndërkombëtar ende nuk ka marra masa ndaj saj. BE-ja që po vazhdon ta mbajë Kosovën nën sanksione duke pritur hetimin e ngjarjes, për t’i konsideruar masat edhe ndaj Serbisë.