Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kërkohet që BSPK të organizojë protesta gjithëpërfshirëse

Një sindikatë po i kërkon BSPK-së të organizojë protestë me përfshirjen e sektorit publik e privat, duke marrë parasysh pakënaqësitë e fundit që janë shprehur me greva e protesta, raporton KTV.

Kryetari i BSPK-së nuk e përjashton një mundësi të tillë.

Java që po lëmë pas, kaloi me organizime të ndryshme sindikale në vend.

Përveç grevës së administratës së gjykatave e prokurorive, ashtu vepruan edhe punëtorët e postës, minatorët, derisa zjarrfikësit protestuan për kushte më të mira.

Këtë, si një moment të mirë për organizimin e një proteste të përgjithshme nga BSPK-ja, po e sheh një sindikatë, që ishte ndër të parat që protestoi këtë vit.

Punëtorët e KEK-ut, të organizuar nga Sindikata e Re, në shkurt të këtij viti, kërkuan rritje të pagave siç u ishte premtuar, kërkesë që u zbatua dy muaj më vonë.

Sipas Llumnicës, ende ka pakënaqësi brenda punëtorëve të KEK-ut, derisa shprehet se janë të gatshëm të bashkohen në protesta nëse ato organizohen .
Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, nuk e përjashton mundësinë e një organizimi të tillë.

Por, sipas tij, grevat e protestat janë pezulluar përkohësisht, pasi janë dhënë afate për realizimin e kërkesave.

Të premten u ndërpre greva e minatorëve të “Trepçës”, pas arritjes së një marrëveshjeje mes sindikalistëve dhe ministrit Valdrin Lluka, ku mes tjerash pritet të formohet një grup punues për të gjetur zgjidhje për kërkesat sociale të minatorëve.

Më herët, grevën e pezulluan edhe punëtorët e administratës së gjykatave e prokurorive, ndërsa para tyre, në grevë njëditore ishin edhe punëtorët e Postës.

Artikuj të ngjashëm