Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kërkohet ndalimi i përdorimit të thëngjillit në objekte e institucione private

Nën udhëheqjen e koordinatorit të task forcës për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, u.d ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, është mbajtur takimi i radhës i Task Forcës për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.

Gjatë këtij takimi përfaqësuesit ndërministror të Task Forcës kanë aprovuar propozim vendimin për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në objektet e institucioneve publike, i cili do të procedohet për miratim në Qeveri.

Matoshi ka thënë se vendimi për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në objektet e institucioneve publike ka për qëllim reduktimin e ndotjes së ajrit.

Në konferencën për media të mbajtur pas këtij takimi u.d ministri Matoshi ka prezantuar hapat që MMPH është duke ndërmarrë në përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend, veprimet e task forcës dhe ministrive anëtare të kësaj task force.

“ MMPH më qëllim të reduktimit të ndotjes së ajrit, ka dërguar në qeveri dhe kuvend projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, po ashtu qeveria e Kosovës ka miratuar planin e veprimit për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend”, tha Matoshi.

Matoshi ka prezantuar edhe projektet që MMPH-ja është duke realizuar së bashku me JICA japoneze dhe MMC-në në fushën e ajrit, duke përfshirë hulumtimin e JICA-s rreth ndotësve në vend, rezultatet e të cilit do të dalin në fillim të muajit nëntor, rehabilitimin e stacioneve të matjes së cilësisë së ajrit nga JICA dhe MCC.

U. d ministri Matoshi tregoi se MMPH-ja me përkrahjen e Komisionit Evropian ka instaluar softverin qendror për mbledhjen e të dhënave të cilësisë ajrit nga stacionet monitoruese dhe paraqiten e tyre ne kohë reale.

Ndër tjerash Matoshi tregoi për veprimet që kanë ndërmarrë ministritë përkatëse të Task Forcës për mbrojtjen e ajrit nga ndotja duke përmendur kështu ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në institucione edukativo arsimore nga MASHT, angazhimin e MZHE-së në shtrirjen e rrjetit të ko-gjenerimit dhe ndërrimin e filtrave të TC Kosova B.

Po ashtu Matoshi tregoi se Ministria e Infrastrukturës do të vazhdojë angazhimin në zbatimin e udhëzimit për kontrollimin e gazrave të veturave, me rastin e kontrollimit teknik të automjeteve si dhe fillimin e vendosjes së pullave ambientale nga janari i vitit 2019 ndërsa Policia e Kosovës do të asistojë Inspektoret e Komisionit për Miniera dhe Minerale për ndalimin e eksploatimit dhe shitjes së thëngjillit siç parashihet edhe me ligjin për miniera.

Sipas Matoshit edhe Ministria e Shëndetësisë do të punojë në informimin e qytetarëve për pasojat e përdorimit të thëngjillit për ngrohje dhe rëndësinë e mbrojtjes se ajrit nga ndotja.

Në fund u. d Ministri Matoshi deklaroi se pas prezantimit të rezultateve preliminare nga JICA mbi ndotësit kryesor të ajrit ne sipas nevojës do të ndërmarrin edhe veprime tjera komfor legjislacionit në fuqi.

Artikuj të ngjashëm