Arbëri

Kelmendi e Blakaj komentojnë iniciativën e dy kongresistëve për ta nominuar për Nobel Natasha Kandiqin

Dy kongresistë amerikanë e kanë nominuar aktivisten për të drejtat e njeriut Natasha Kandiq dhe Qendrën e saj për të Drejtën Humanitare për çmimin Nobel për Paqe.

Kjo qendër dokumenton krimet e kryera gjatë luftërave në Jugosllavi. Senatorët amerikanë Roger Wicker dhe përfaqësuesi Eliot Engel, të mërkurën, e nominuan serben për këtë çmim.

“Besojmë se një njohje e këtillë do të kontribuonte tutje në kauzën për paqe dhe pajtim në këtë dhe rajonet tjera të trazuara në botë,” shkruan Wicker dhe Engel në letrën e nominimit dërguar Komitetit Norvegjez për Nobel.

Kandiq kishte themeluar Qendrën për të Drejtën Humanitare në vitin 1992 për të dokumentuar krimet e luftërave që ndodhën në Ballkan, e sipas dy kongresistëve, ‘dokumentimi i detajuar i këtyre krimeve është bërë esencial për drejtësinë, si në Tribunalin e Hagës, ashtu edhe në ish-Jugosllavi, por edhe në gjykatat rajonale për krime lufte’.

Letra e nominimit thekson se Qendra për të Drejtën Humanitare vazhdon të punojë në mjedis mjaft armiqësor në Serbi, por ia vlen të përfundohet se përpjekjet e kësaj qendre kanë parandaluar shkelje të tjera të së drejtës humanitare.

Bashkëpunëtorët e Kandiqit në Kosovë thonë se ky nominim do të mund të rikthejë sërish vëmendjen ndaj rajonit.

“Kandidimi i Kandiq për çmimin Nobel për paqe është lajm ekstra i mirë për rajonin së paku për dy arsye, ajo është mishërimi në një person i idesë së pajtimit e cila përreth 20 apo 30 vjet ka ngritur zërin dhe asnjëherë nuk është tërhequr prapa përkundër sulmeve ndaj saj, dhe e dyta, përfundimisht do të kthejë reflektorët e bashkësisë ndërkombëtare kah rajoni i cili ende ka probleme të mëdha”, ka thënë Kelmendi.

Ndërkaq, Bekim Blakaj nga Qendra e së Drejtës Humanitare në Kosovë në një përgjigje nëpërmes e-mailit ka thënë se është i kënaqur për këtë nominim sidomos për arsye se vjen nga miqtë e Kosovës.

“Znj. Kandiq për një çerek shekulli ka kontribuar si askush tjetër në dokumentimin e viktimave dhe krimeve të luftës, ka kërkuar drejtësi për viktima, duke bërë edhe kallëzime penale edhe ndaj zyrtarëve më të lartë të ushtrisë serbe. Deri më tani të vetmin vlerësim të merituar e ka marrë prej vetë komunitetit të viktimave. Nominimi i saj për çmimin “Nobel” përfundimisht paraqet vlerësimin e merituar për të, dhe për këtë arsye jam tejet i gëzuar.”

Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare me këtë nominim e merr vlerësimin e duhur dhe ky çmim konfirmon profesionalizmin, paanshmërinë dhe përkushtimin e madh të kësaj organizate dhe të të gjithë atyre që kanë punuar përgjatë këtyre 25 vjetëve, ka shtuar Blakaj.

Kandiq është tani aktiviste e të ashtuquajturës Iniciativës për RECOM, komision rajonal që mbledh në një vend emër me emër personat e vrarë, të zhdukur apo të burgosur e të torturuar gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.