Arbëri

KEK-ut i lejohet eliminimi i zvarranikëve

Organi Shqyrtues i prokurimit (OSHP) i ka lejuar Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) që të vazhdojë procedurat e prokurimit për derratizimin, dezinfektimin dhe dezinsektimin e hapësirave të kësaj ndërmarrjeje. Ky institucion e ka hedhur poshtë ankesën e një operatori ekonomik me arsyetimin se është bërë jashtë afatit ligjor. OE ankues “Dezinfektimi AD” fillimisht kishte parashtruar ankesë në Autoritetin Kontraktues-KEK, i cili nuk e kishte shqyrtuar me të njëjtin arsyetim.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit ka analizuar ankesën e parashtruar nga OE ‘Dezinfektimi AD’ me seli në Prishtinë, me nr. të protokollit 772/21 e datës 02.11.2021. Ankesa ndërlidhet me aktivitetin e prokurimit me titull ‘Shërbime për derratizim, dezinfektim dhe dezinsektim për zhdukjen e zvarranikëve në hapësirat e KEK-ut’ me nr. të prokurimit ‘KEK-21-6995-2-1-1, të iniciuar nga AK-KEK dhe vjen në përfundim se e njëjta ankesë hidhet poshtë si e palejuar”, thuhet në arsyetimin e vendimit të OSHP-së.

I njëjti ka sqaruar se OE “Dezinfektimi AD” kërkesën për rishqyrtim tek K-KEK sh.a. e ka parashtruar më datën 20.10.2021, ndërsa hapja e ofertave ishte planifikuar të bëhej më datën dy nëntor.

“Dhe kur fillon kalkulimi i afatit kohor sipas nenit 108/A të LPP-së dhe nenit 4 të Rregullave të paraqitjes së kërkesë për rishqyrtim pranë autoritetit kontraktues, parashtrimit të ankesave pranë OSHP-së dhe vlera e tarifave të ankesave, rrjedh se OE ankues kërkesën për rishqyrtim tek AK e ka parashtruar në kundërshtim me nenet e cekura më lartë, sepse kërkesa e OE ankues e datës29.10.2021 në orën 16:13h realisht numërohet si e proceduar në ditën e nesërme, pra më datën 30.10.2021, tre ditë para hapjes dhe jo pesë ditë para hapjes së ofertave, siç specifikohet në nenin 108/A të LPP-së dhe nenit 4 të Regullores”, thuhet tutje në arsyetim.

OSHP konsideron se AK-KEK me të drejtë ka vlerësuar kërkesën për rishqyrtim të OE ankues si e jashtafatshme. Prandaj, i njëjti institucion e ka hedhur poshtë ankesën e OE “Dezinfektimi AD” me seli në Prishtinë.

“Lejohet Autoriteti Kontraktues-KEK që të vazhdojë më tutje me procedurat e prokurimit lidhur me aktivitetin e e prokurimit ‘Shërbime për derratizim, dezinfektim dhe dezinsektim për zhdukjen e zvarranikëve në hapësirat e KEK-ut’ me nr. prokurimi ‘KEK-21-6995-2-1-1, përkitazi me këtë ankesë (nëse nuk ka ankesë tjetër)”, thuhet në vendim.