Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar Studimin e Sistemit të Integritetit Kombëtar - ku paraqitet vlerësimi për nivelin e integritetit në 15 institucione dhe sektorë kyç.
Në studim është vlerësuar se Kosova demonstron një sërë aspektesh pozitive në Sistemin e saj të Integritetit Kombëtar, të shënuar nga një kornizë ligjore që teorikisht mbështet parimet e transparencës, llogaridhënies dhe pavarësisë nëpër shtylla të ndryshme. Por, në të thuhet se zbatimi praktik i legjislacionit nxjerr në pah disa sfida që kërkojnë vëmendje urgjente për të forcuar strukturat qeverisëse të vendit dhe për të luftuar efektivisht korrupsionin.
KDI ka thënë se “sfida të tilla si paqëndrueshmëria politike dhe një sistem drejtësie joefikas vazhdojnë, dhe raportet ndërkombëtare tregojnë korrupsionin e vazhdueshëm brenda qeverisë së bashku me veprimet e papërshtatshme korrigjuese”.
Instituti ka theksuar se reformat janë të domosdoshme për të adresuar sfidat.
“Mungesa e burimeve, veçanërisht në dimensionet njerëzore dhe infrastrukturore, pengon efektivitetin e institucioneve. Ndikimi i papërshtatshëm politik, veçanërisht nga ekzekutivi, zvogëlon më tej efektivitetin dhe pavarësinë e organeve kyçe si gjyqësori, prokuroria dhe Kuvendi. Mangësitë e transparencës, duke përfshirë procesverbalet konfidenciale të mbledhjeve të qeverisë dhe mangësitë e llogaridhënies, siç janë mungesa e sanksioneve për gjyqtarët, paraqesin sfida. Për më tepër, zbatimi i masave të integritetit, si kodet e sjelljes, mbetet i paqëndrueshëm”, thuhet tutje në studim.
Edhe
Jakaj: Institucionet e pavarura rrezikojnë paralizimin, pasojat mund të jenë të pariparueshme
Sipas KDI-së, zbutja e ndikimeve të jashtme, veçanërisht ndikimet politike, është kritike për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve.
“Forcimi i dispozitave ligjore dhe mekanizmave të zbatimit mund të garantojë autonomi të autoriteteve vendimmarrëse... Për më tepër, transparenca në proceset e vendimmarrjes duhet të rritet, veçanërisht në mbledhjet e qeverisë ku konfidencialiteti vazhdon, si dhe në përgjigjet ndaj pyetjeve të medieve”, thuhet në studim.