Paneli i gjyqtarëve të Gjykatës Speciale në Hagë ka vendosur që dëshmitarët dhe provat e mbrojtjes për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin të fillojnë të paraqiten nga 15 shtatori e tutje. Vendimi u mor pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtjes, të shprehura në konferencën për ecurinë e lëndës, ku avokatët kërkuan më shumë kohë për përgatitje
Dëshmitarët dhe provat që pretendohet se e mbështesin pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të paraqiten para Gjykatës Speciale në Hagë nga mesi i shtatorit e tutje.
Vendimin e ka marrë paneli i gjyqtarëve në çështjen ku katër ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pas ankesave që u shprehën në konferencën për ecurinë e lëndës, e mbajtur të martën që shkoi, e ku avokatët pretenduan se nuk u është dhënë kohë e mjaftueshme për përgatitje.
Në vendimin e marrë të premten, paneli i gjyqtarëve ka vlerësuar se mbrojtja e Thaçit ka pasur kohë që nga tetori i vitit 2022 për t’i siguruar miratimet e nevojshme për nëntë nga dëshmitarët e saj, por ka dështuar ta bëjë këtë me kohë. Megjithatë, në vendim thuhet se për t’i dhënë kohë mbrojtjes dhe pasi nuk ka pasur ankesa nga Prokuroria lidhur me këtë kërkesë, ajo pranohet.
“Paneli i njofton palët se synon ta caktojë si datë për fillimin e paraqitjes së mbrojtjes ditën e hënë, më 15 shtator 2025. Kjo datë do të përcaktohet zyrtarisht në Konferencën përgatitore të mbrojtjes, të planifikuar për të martën, më 19 gusht 2025, në përputhje me Rregullin 119(4)”, thuhet në urdhrin e panelit të gjyqtarëve.
Nëntë dëshmitarët ndërkombëtarë pretendohet se kanë mbajtur pozita të ndjeshme gjatë periudhës së luftës, dhe dëshmia e tyre kërkon miratim paraprak nga autoritete të tjera, sipas Rregullit 107, që e rregullon përdorimin e informatave të klasifikuara ose të mbrojtura.
Në të njëjtin vendim, gjykata i ka udhëzuar mbrojtjet e Thaçit dhe Krasniqit që, deri më 15 gusht 2025, ta dorëzojnë një version të përditësuar të listës së provave, duke i përfshirë vetëm ato dokumente që synojnë t’i përdorin realisht në gjykim.
Ndërkohë, paneli e ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit për zgjatjen e afatit për përgjigje në tri kërkesat e dorëzuara nga Përfaqësuesi i Viktimave. Sipas gjykatës, nuk janë paraqitur arsye të mjaftueshme për shtyrje, pasi mbrojtja ishte e informuar për mundësinë e këtyre paraqitjeve dhe çështjet si këto janë të kufizuara në përmbajtje.
Ankesa lidhur me kohën që ua ka dhënë gjykata për të përgatitur paraqitjen e provave të tyre kanë shprehur të martën në konferencën për ecurinë e çështjes, avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq dhe ai i Krasniqit, Aidan Ellis.
Mishetiq tha se që nga janari deri në korrik ishin nën përshtypjen që paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve do e fillonin kah mesi i tetorit, pasi këtë kërkesë nuk e kishin kundërshtuar trupi gjykues. Por në korrik tha se u mor vendim që do i kenë vetëm dy javë në dispozicion, pa përfshirë pushimin veror, nga koha kur Gjykata do marrë vendim lidhur me kërkesën sipas rregullit 130 që përcakton kërkesën për rrëzimin e disa akuzave, apo aktakuzës në tërësi. Këtë vendim Trupi Gjykues e mori më 16 korrik.
Mbrojtja e Thaçit ka paralajmëruar se do t’i paraqesë dëshmitë e 12 dëshmitarëve, por jo të gjithë do të thirren në gjykatore. E mbrojtja e Krasniqit i ka paralajmëruar 5 dëshmitarë.
Gjykimi në këtë rast filloi më 3 prill 2023, e nga atëherë Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka thirrur 125 dëshmitarë, derisa paraqitjen e provave e përfundoi më 16 prill të këtij vitit. Më 16 korrik, gjyqtarët e kumtuan vendimin për refuzimin e kërkesës së përbashkët të Mbrojtjes për heqjen e akuzave, sipas Rregullit 130.