Kryetari i Komunës së Kamenicës dhe nënkryetari i PSD-së Qëndron Kastrati, tha se fatkeqësia e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është se kompetencat për dialogun i kanë kaluar kryeministrit Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi.
Ai në emisionin "Interaktiv" të KTV-së tha se rezoluta e parë për delegacionin ka qenë nga PSD-ja e cila ka kërkuar që me 2/3 e votave me u bë një delegacion dhe një platformë që të përfaqësohen në dialogun me Serbinë.
“LDK e VV vetëm kanë dashur të pengojnë procesin që të krijohet një mundësi më e mirë për ta, ata me këtë veprim kanë dashur të thonë që të mos ia marrin kompetencat kryeministrit dhe presidentit”, ka thënë ai.
Kastrati thotë se sipas Ligjit për Dialogun, i cili u shpall anti-kushtetues, askush nuk mund të bënte bisedime të fshehta me Serbinë.
“Qëllimi jonë ka qenë që këtë punë nuk duhet me ua lënë individëve. Për ne është me rëndësi me theksu se ne e pranojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne jemi tërhequr edhe nga delegacioni edhe nga Ligji”, tha ai.
Kastrati ka thënë se do ta shqyrtojnë secilën marrëveshje që do të vijë nga bisedimet me Serbinë dhe do të vendosin në mënyrë konstruktive.
“Logjika e delegacionit ka qenë të jenë të përfaqësuara të gjitha palët, edhe subjektet në opozitë edhe ata në pozitë, por edhe nga shoqëria civile. Vendet kanë qenë të ndara dhe të menduara dhe në momentin që secili subjekt opozitar ka dashur të jetë pjesë, kanë mundur të jenë”, tha ai.
Lidhur me shpenzimet e ekipit dialogues gjatë kësaj periudhe, ai ka thënë se nuk duhet të shikohet se sa para janë shpenzuar, por se çka është arritur me punën e tyre.
“Për mua kjo është çështje pak banale. 300 mijë euro kanë qenë të ndara në kuadër të aktiviteteve, por nuk janë shpenzuar të gjitha. Janë shpenzuar rreth 43 mijë euro. Nuk mundesh me shiku në aspektin se sa ke shpenzuar, por çfarë është bërë për marrëveshjen potenciale me Serbinë” , ka thënë ai, duke mos elaboruar më gjerësisht se çfarë ka punuar ekipi gjatë kësaj kohe.
E, për punësimin e personave në kuadër të delegacionit, ai ka thënë se është dashur të përgatitet terreni për bisedime.
“Për mua është e rëndësishme që kushdo që e përfaqëson Kosovën duhet të përgatitet shumë më herët”, tha ai.
Kastrati tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga tash nuk e ka të ndaluar të takohet më këdo nga Serbia.
Ai thotë se raportet me Serbinë duhet të ndryshojnë, pasi që sipas tij, marrëdhëniet fqinjësore janë shumë të rëndësishme.
“Serbia është e vetëdijshme sa është duke humbur me bllokadën që është duke ia bërë Kosovës”, ka thënë ai.
Ai tutje ka thënë se individët nuk duhet ta udhëheqin dialogun.
“Jo vetëm Haradinaj e Thaçi, por as Shpend Ahmeti nuk kisha dashur të udhëheq i vetëm dialogun sepse për këtë duhet të ketë një unitet më të gjerë politik”, tha ai.
Kastrati tutje ka shtuar se opozita brenda Kuvendit nuk duhet “vetëm të vajtojë e të shajë” por të shtyjë përpara tema të rëndësishme për vendin.
Duke folur për partinë, ai ka thënë se PSD-ja po rritet në të gjitha komunat e Kosovës.