Deri më tani, 10 qytetarë kanë paraqitur ankesa rreth vendosjes së kamerave nëpër ndërtesa të banimit tek Agjencia për Informim dhe Privatësi, e cila e ka në mandat mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në arsyetimet e vendimeve, agjencia ka listuar si shkelje mosmarrjen e pëlqimit për vëzhgim nga banorët
Banesa të shumta kolektive në kryeqytet kanë të vendosura kamera të sigurisë, porse banorët në shumicën prej tyre nuk e kanë perceptuar si të cenuar privatësinë, duke e justifikuar si të arsyeshme vendosjen e pajisjeve të vëzhgimit për shkakun e sigurisë.
Besim Zeqiri, banor i lagjes “Bregu i Diellit” në Prishtinë, ka thënë se i mban mend kamerat prej kur ishte vendosur në lagje rreth katër vjet më parë. Arsyet e vendosjes së kamerave, sipas komshinjve të tij, kanë të bëjnë me sigurinë e pronave të tyre.
“Arsyet të cilat i kam dëgjuar, se pse i kanë vendosur, kanë qenë që të jetë më e disiplinueshme, që të jetë më e qetë, më e sigurt. Mua personalisht me familjen time kurrë nuk më ka penguar”, ka thënë Zeqiri.
Qasje në xhirimet nga kjo ndërtesë, banorët kanë thënë se ka shtëpiaku i objektit banesor, Shaban Mustafa. Ai nuk ka pranuar që të flasë lidhur me çështjen për KOHËN, porse ka theksuar shkurt që arsyeja e vendosjes së kamerave ka qenë siguria, teksa ka bërë të ditur se vendimi është marrë bashkë me banorët.
Banorët kanë konfirmuar se nuk janë marrë nënshkrime nga 70 për qind e pronarëve, porse kanë pohuar që shumë prej tyre janë pajtuar rreth vendosjes së kamerave.
Ardi Pajaziti, banor i një objekti banesor në Rrugës C në kryeqytet, ka thënë se rastet e vjedhjeve e kanë nxitur që ta japë pajtimin për vendosjen e këtyre pajisjeve.
“Kamerat janë vendosur për arsye se ka pasur disa dëmtime të veturave poshtë në garazh. Pastaj ka pasur thyerje të banesave, ka pasur vjedhje të mbathjeve, të atleteve, këpucëve dhe këtyre gjërave. Ne si banorë jemi mbledhur dhe jemi konsultuar mes vete dhe kemi vendosur që të participojmë të gjithë. E kemi grupin në viber, në të cilin jemi të gjithë banorët dhe aty e kemi pohuar se kush jemi për. Kanë pohuar më shumë se 70 për qind që janë për”, është shprehur Pajaziti, duke shtuar se gjatë vendimmarrjes nuk ka qenë i informuar mbi kushtet që duhen plotësuar për instalimin e kamerave.
Ai ka thënë se ka qasje në pamjet e kamerave, në një dhomë të veçantë që mund ta hapë ndërtuesi “Alko Group”. KOHA ka kontaktuar nëpërmjet telefonit Ujkan Bycin, njërin prej aksionarëve të kompanisë ndërtuese, porse ai nuk ka qenë i qasshëm gjatë së enjtes.
Deri më tani, 10 qytetarë kanë paraqitur ankesa rreth vendosjes së kamerave nëpër ndërtesa të banimit tek Agjencia për Informim dhe Privatësi, e cila e ka në mandat mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në arsyetimet e vendimeve, agjencia ka listuar si shkelje mosmarrjen e pëlqimit për vëzhgim nga banorët.
“Gjatë realizimit të inspektimit, është konstatuar se z. A.A, në korridorin e katit përdhese ka të instaluar një kamerë, e cila vëzhgon korridorin dhe hyrjen e ndërtesës. Për instalimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë, i njëjti nuk ka marrë pëlqimin e së paku 70 për qind të banorëve dhe nuk ka të vendosur njoftim (shenjë paralajmëruese) në hyrje të objektit”, është bërë e ditur në një vendim të AIP-it.
Krahas pëlqimit të 70 për qind të pronarëve dhe të shenjës paralajmëruese për vëzhgim që duhet të vendoset nëpër objekte banesore, kriteret e agjencisë përcaktojnë se hyrjet e apartamenteve individuale nuk mund të vëzhgohen.
Me vendimet për biznese dhe për qytetarë, AIP-ja i ka detyruar personat që i kanë nën kontroll xhirimet që t’i shkatërrojnë të dhënat e mbledhura dhe ta ndalin menjëherë vëzhgimin e kamerave deri në plotësimin e kushteve ligjore. Përmbushjen e këtyre obligimeve, shkelësit e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, janë urdhëruar që ta bëjnë në një periudhë prej 8 ditësh në rastet për biznese dhe prej 15 ditësh për individë.
Me vendime të tjera, Agjencia ka ndaluar vëzhgimin e hapësirave publike dhe të atyre private të ankuesve, si të individëve ashtu edhe të bizneseve.
“Urdhërohet znj. AA, në cilësinë e kontrolluesit (person fizik), me adresë Rr. ******, të ndalojë përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë, në të cilën përfshihet hapësira e pronës publike dhe pronës private të fqinjit, në rr. ***** në Komunën e Prishtinës”, shkruhet në një vendim tjetër të Agjencisë.
Hapësirat publike, siç thuhet në vendimet e Agjencisë, mund të mbikëqyren vetëm nga policia, në emër të sigurisë publike.
“Vëzhgimi me kamerë i hapësirave publike është i paraparë me Ligjin Nr. 04/L-076 për Policinë”, shkruhet në arsyetimin e këtij vendimi.