Projektligji për referendum e ka kaluar me sukses pragun e parë në Kuvendin e Kosovës. Është miratuar në parim të martën nga Komisioni për legjislacion. Shtatë vota për dhe një abstenim i kanë hapur rrugë ndjekjes së procedurave të tjera, formimit të komisionit vlerësues e angazhimit të ekspertëve deri në sjelljen e tij në seancë plenare për shqyrtim, shkruan sot Koha Ditore.
Megjithatë, para miratimit ka nxitur përplasjen e deputetëve të Vetëvendosjes dhe PSD-së. Kjo e fundit është iniciuese e projektligjit.
Kryetarja e Komisionit, njëherësh deputete e VV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se Projektligji ka shumë mangësi dhe se ka gabime qesharake. Ka thënë se “problemet e Projektligjit janë tejet të mëdha”.
“E drejta për referendum është e pakontestueshme dhe Kosova ka bërë gabim që nuk ka pasur referendum deri më tani. Megjithatë, në këtë projektligj ka shumë mangësi”, ka thënë Haxhiu.
Pas kësaj ka reaguar deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, duke thënë se VV-ja dhe Haxhiu e kanë problem faktin që PSD-ja e ka iniciuar këtë çështje dhe jo se ka probleme në Projektligj.
(Gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore)