Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kallëzim penal ndaj 4 ushtarakëve shqiptarë për dezertim

Tiranë, 17 nëntor – Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës për “dezertim” 4 efektivë ushtarakë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë .

Në njoftim zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, theksohet se 4 efektivët kanë qenë duke kryer detyrën e tyre jashtë vendit (në Britani të Madhe) dhe nuk janë kthyer në Shqipëri pas përfundimit të saj.

“Ministria e Mbrojtjes bën me dije se 4 efektivë ushtarakë, që kanë qenë duke kryer detyrën e tyre jashtë vendit, nuk janë kthyer në Shqipëri pas përfundimit të saj. Sipas 'Kodit Penal Ushtarak', ndaj 4 efektivëve, pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë është depozituar kallëzim penal 'Për dezertim'. Prej disa javësh, çështja është në hetim nga ana e autoriteteve përkatëse”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Katër ushtarët komando të Forcave të Armatosura të Shqipërisë ishin për një trajnim në Britaninë e Madhe dhe pas përfundimit të trajnimit ato nuk janë kthyer në vendin e shërbimit.

Dyshohet se ata janë arratisur duke u fshehur në Britaninë e Madhe, ndërkohë që duhej të ishin kthyer në Shqipëri.