Me një situatë të tillë përballen pothuajse çdo ditë, banorët e rrugës “Vëllezërit Gërvalla’’ nga Fushë Kosova.
Kjo për shkak se kjo rrugë, sipas tyre, është bllokuar nga tarracat e kafeneve në këtë pjesë të qytetit, duke uzurpuar kështu edhe hapësirat e caktuara për parkim, raporton KTV.
Për këtë problematikë, banorët thonë se kanë bërë ankesa në komunë vazhdimisht qe 3 vjet, porse asnjë prej tyre nuk është marrë parasysh.
Për këtë problem, ata thonë se në komunë, përveç ankesave zyrtare, kanë nënshkruar edhe një peticion ku janë përfshirë të gjithë banorët, derisa as për këtë formë të ankesës nuk kanë marrë përgjigje.
Përveç problemit me uzurpimin e hapësirave për parkingje, ata kanë edhe probleme të tjera, që ua vështirësojnë qarkullimin ditor nëpër këtë pjesë.
Gjendjen e tyre, ata thonë se komuna vazhdimisht e ka injoruar, duke bartur përgjegjësinë nga një drejtori në tjetrën.
Ndërkaq, të vetmen përgjigje pozitive që banorët e kësaj pjese e kanë marrë nga Komuna, është vendimi për formimin e një komisioni komunal për lirimin e hapësirave publike në vitin 2017.
Komision ky që, sipas tyre, nuk e kreu punën asnjëherë.
Për shqetësimin e banorëve, nënkryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Fatmir Krasniqi, shkurtimisht përmes telefonit, ka thënë se komuna është duke e trajtuar rastin dhe se një zgjidhje do të ofrohet gjatë javës së ardhshme.