Gazetarja e KOHËS, Sanie Jusufi, tha se rritja e çmimeve dhe inflacioni ishte kryefjalë gjatë 2022-s në Kosovë. Sipas saj, Kosova është e varur nga importi i produkteve të vendeve tjera, me ç’rast çdo lëvizje e çmimeve ndikon edhe në Kosovë.
Jusufi theksoi të enjten në DESKU-n e KTV-së se 2022-a ishte viti me shkallën më të lartë të inflacionit tash e dy dekada.
“Kemi inflacionin në shkallën më të lartë për afro 2 dekada, viti është përmbyllur me një inflacion prej 11 për qind. Ka ndodhur që gjatë gushtit-korrikut të ketë 14 për qind shkallë të inflacionit, shkallë që ndikon që kostoja e jetesës së qytetarëve të rëndohet”, deklaroi Jusufi.
Ajo tha se derisa në Kosovë çmimet janë rritur, pagat kanë mbetur pothuajse të njëjta, e kjo sipas gazetares së KOHËS, ua ka vështirësuar jetesën shumë qytetarëve.
“Për një familje që të ardhurat janë 400 euro, e kemi parë që vetëm për produktet ushqimore, është rritur për afro 28 euro shporta e konsumatorëve, duke mos e lënë anash as transportin, duke shënuar rritje të çmimeve”, tha tutje.
Jusufi tha se nëpërmjet dy pakove, Qeveria tentoi t’iu ndihmonte qytetarëve në tejkalimin e krizës. Pakot, sipas saj, nuk patën efektin e duhur.
“Kanë qenë investimet kapitale që kanë rënë, realizimi i tyre ka qenë në nivel të ulët. e kemi parë që s'ka një ekonomi të qëndrueshme, vlera e investimeve kapitale vetëm 23 për qind”.