Jostabiliteti politik, mosfunksionimi i sistemit gjyqësor si dhe mungesa e trajtimit serioz nga institucionet vendore po shihen si probleme kyçe për investitorët e huaj në vend.
Problemet si ato të furnizimit me energji elektrike, mungesa e punëtorëve të kualifikuar, informaliteti dhe korrupsioni janë gjithashtu probleme që ballafaqohet sektori privat, raporton KTV.
Madje, si shkak i këtyre dukurive, nuk ka shumë të interesuar për investime të huaja direkte në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se sa herë që investitorët e huaj takohen me zyrtarë të lartë shtetërorë, ata përballen me premtime të cilat kurrë nuk jetësohen.
Për të, kjo është një njollë e zezë për tërheqjen e investimeve të huaja.
Edhe
Jostabiliteti politik, pengesë për tërheqjen e investimeve
Eksperti për çështjeve ekonomike, Naim Gashi, tha se deklaratat të cilat jepen shpesh nga subjekte të caktuara politike për shkëputjen e kontratave të caktuara kur të vijnë në pushtet, japin sinjal dekurajues tek investitorët e huaj.
Për ta zgjidhur këtë problem, ai thotë se partitë politike duhet të arrijnë konsensus për të ardhmen, në mënyrë që të mos dekurajohen investitorët.
Sipas të gjeturave të një hulumtimi të kryer nga Oda Ekonomike Amerikane, korrupsioni është problem serioz për 98 për qind të bizneseve që operojnë në Kosovë.
Ndërsa 72 për qind e tyre nuk i besojnë sistemit gjyqësor.
Edhe
DASH: Jostabiliteti politik dhe korrupsioni pengojnë zhvillimin ekonomik në Kosovë
Të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve tregojnë se vetëm në fillim të këtij viti, janë hapur 192 biznese me së paku një pronar të huaj. Numri i përgjithshëm i bizneseve me më së paku një pronar të huaj është mbi një mijë.
Sipas hulumtimit të kryer nga Oda Ekonomike e Kosovës, si pasojë e mosfurnizimit stabil me energji elektrike, sektori privat në Kosovë gjatë këtyre viteve, ka shpenzuar më tepër se 580 milionë euro për blerje të gjeneratorëve, duke mos kalkuluar shpenzimet e derivateve të naftës.