Një ndryshim në “qasje dhe mendësi” për dialogun Kosovë-Serbi nga faktori ndërkombëtar, mund të çojë në njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende s’e njohin, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë profesori Edward P. Joseph, nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington.
Sipas tij, ka përpjekje serioze që Kosova të sigurojë njohjen nga pesë shtetet e BE-së: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.
Joseph ka thënë po ashtu se, sipas raportimeve, “propozimi franko-gjerman vendos në qendër njohjen e Kosovës nga shtetet jonjohëse të BE-së”.
Ky propozim, në të cilin thirret Joseph, qarkullon në media tash e një kohë dhe thuhet se ka për qëllim të lehtësojë zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai është konfirmuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që ka thënë se propozimi parasheh që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në këmbim të anëtarësimit më të shpejtë në BE. Propozimi, sipas Vuçiqit, nuk përmend njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, por njohjen e Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së.
Joseph ka thënë se pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, deri më tani, i kanë dhënë një avantazh apo fuqi të padrejtë Serbisë për të bllokuar Kosovën në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
“Kur ia largon fuqinë Serbisë, krijon mundësinë për atë që të gjithë e duan. Një negociatë të drejtë [të balancuar]. Askush nuk dëshiron ta poshtërojë Serbinë, por qëllimi është një negociatë e drejtë”, ka thënë Joseph për REL.
Ai ka shtuar se këto njohje do ta përfundonin “lojën e Aleksandar Vuçiqit”, president i Serbisë, i cili, siç thotë Joseph, pretendon se “dëshiron kompromis të drejtë me Kosovën” dhe se “është partner i Perëndimit”.
“[Kur të arrihet njohja nga pesë vendet e BE-së] njohja e Serbisë do të jetë e pashmangshme dhe më pak e rëndësishme”, thotë Joseph./rel