Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Jeremiq i bindur se Vuçiq brenda vitit do t’ia dorëzojë Kosovës ulësen në OKB

Kryetari i Partisë Popullore Serbe, Vuk Jeremiq, deklaroi se “kryetari i SNS-së, Aleksandar Vuçiq, njëherit kryetar i Serbisë, duke i dorëzuar Perëndimit interesat vitale kombëtare serbe, paguan me çmimin e të qenit në pushtet dhe paraqitja e tij ndaj të huajve është aq e ulët, vetëm e vetëm që në Serbi ai të mund të bëjë çka të dojë”.

“Vuçiq ka për qëllim që këtë vit t’ia dorëzojë Prishtinës zyrtare ulësen në OKB, pas kësaj të pajtohet me çmontimin e Republika Srpska dhe, më në fund, ta çojë Serbinë në NATO, por që të realizohet ky synim, ndërkombëtarët duhet që të mos kritikojnë për ‘imtësira’ brenda vendit, sikundër janë sundimi i ligjit, kontrolli ndaj medieve, etj.”, deklaroi Jeremiq për mediet serbe.

Jeremiq shtoi se plani i Vuçiqit është që të qeverisë në mënyrën siç bën Millo Gjukanoviq në Mal të Zi.

“Nëse Vuçiq dorëzon Kosovën do të kthehet ndaj partnerëve të vet nga Perëndimi dhe do të thotë: ‘Zgjidha problemin më të rëndë, që, përveç meje, askush nuk do të kishte mundur ta bënte. Kështu mund ta zgjidhë edhe problemin e Bosnjës, por që më duhet edhe pak kohë, prandaj në këtë kohë mos më kritikoni. Kur ta kryejë këtë, do të thotë se do të ketë nevojë edhe tre a katër vjet që ta anëtarësojë Serbinë në NATO, etj.”, deklaroi Jeremiq, transmeton televizioni publik.

Sipas Jermeiq, Vuçiq premtoi se brenda 12 vjetëve për Serbinë nuk do të jenë të hapura dyert për në BE.

Ndër të tjera Jeremiq ftoi në duel televiziv, kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.