Avokati Arbër Jashari ka thënë qeveria në Kosova ua rritë pagat sindikatave të mëdha sepse ka përfitim nga to, e se i anashkalon të tjerët.
“Nuk kemi përparuar si shtet derisa nuk i trajtojmë njëjtë si një pakicë - si rasti i këtyre zonjave - si shumicën. E dimë që shteti çfarë sjellje ka me sindikatat e mëdha. Deri tash në Kosovë iu është rritë paga vetëm atyre sindikatave të mëdha që kanë qenë në gjendje të bëjnë presion dhe kanë numër të madh votash. Ndërsa nuk është menduar fare për kategoritë që nuk kanë ndikim”, ka thënë ai në “Konfront”.
Jashari ka shtuar se në Kosovë u janë rritur pagat atyre që janë parë me ndikim për politikën, e ata që nuk kanë pasur shumë ndikim dhe me paga shumë më të vogla janë lënë prapa.
“Thjesht, te ne kush ka qenë i fortë ia ka rritë rrogën vetit. Më 2019 kam punuar në sistem gjyqësor, një gjyqtar e ka pasur rrogën 100 euro, një punëtor i administratës 350. Shkoi Qeveria e atëhershme gjyqtarëve ua bëri 2000 euro, ne u çuam e bëmë një organizim sindikal, neve na shtypëm se kërkojshim nga 50 euro. Kush është i fortë, kush ka ndikim politik, këtu i çon çështjet përpara”.
Jakaj: Punonjëset e Kuvendit, pos pagës së ulët, janë ushqyer në kthinat pas tualeteve
Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka thënë se punonjëset e Kuvendit që janë në grevë kanë kushte të mjerueshme të punës.
Ai ka treguar se si në një periudhë më herët këto punonjëse janë ushqyer në kthinat pas tualeteve në Kuvend.
“Ka në Kuvendin e Kosovës, siç dihet gratë që janë në grevë, të cilat pos pagës së ulët që e marrin, jetojnë në kushte të mjerueshme brenda hapësirave të Kuvendit. Kam qenë pjesë e Kuvendit për vite me radhë dhe e di si jetojnë. Ato bukën e hanë, kafen e pinë, në ambiente ku ruhen serverët e Kuvendit. Këto gra kanë qëndru kur janë larguar prej atyre dhomave, kanë qëndru edhe në kthinat mbrapa tualeteve. Kanë intervenuar dy-tre deputetë që një gjë e tillë të mos vazhdojë. Pra kur ka vullnet politik, mund të ndërhyhet pavarësisht se i përkasin sektorit privat”, ka thënë Jakaj në “Konfront”.
Jakaj ka thënë se kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duhet ta marrë përsipër zgjidhjen e grevës së këtyre punonjësve.
Sipas tij, nuk janë vetëm pagat, “por edhe vendi ku e hanë bukën, ku qëndrojnë e ku duhet ta kryejnë pauzën”.
Demolli: S'po më pëlqen se si s'janë shqetësuar as deputetet për pagat e punonjëseve të Kuvendit
Luljeta Demolli, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, ka thënë se Kuvendi duhet të krijojë standard se si duhet të paguhet një punëtor në Kosovë.
Ajo ka shprehur shqetësim se në vazhdim do të shkurtohet numri i grave që punojnë në Kuvend e që janë në grevë qe disa javë.
“Një qarkullim i bisedave që e dëgjojmë se do të shkurtohet edhe numri i grave që janë aty dhe do vijnë me kontratat të tjera, jo vetëm te këto gra por edhe institucione të tjera. Nga kjo Qeveri ka një ide që jepet dhe Ligji i punës është larguar nga agjenda dhe ka një narrativë që Kosova po shkon duke i shkurtu edhe vendet e punës dhe duke i bë këto partneritetet publiko-private dhe duke ia lënë fajin te sektori privat. Sektori privat le t’i paguajë, ne nuk na intereson qysh trajtohen punëtorët, kjo qasje është alarmante, kjo qasje që të vendosë kursim te punëtorët që paguhen më së ulti në Kosovë është jokorrekte”, ka theksuar ajo në “Konfront”.
Demolli kritikoi deputetët se kanë heshtur ndaj kësaj çështjeje.
“Mua nuk më pëlqen si kanë bërë presion dhe nuk më pëlqen fare qysh nuk ua kanë ndi deputetëve, kryetarit të Kuvendit, asnjë shqetësim publik që thotë që kjo është kërkesa jonë dhe do ta kemi një opsion... kemi pa heshtje dhe kemi pa një tendencë për t’i heshtur këto grupe”.
Hajdari: Tri nga punonjëset greviste në Kuvend kanë përfunduar në spital
Egzon Hajdari nga Qendra Sociale “Përpjekja” ka thënë se tri nga punonjëset greviste në Kuvend kanë përfunduar në spital për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore.
Punëtoret teknike të Kuvendit janë në grevë tash e tre muaj pasi po kërkojnë paga më të larta.
Në emisionin “Konfront” të KTV-së, Hajdari ka thënë se punonjëset e Kuvendit janë frymëzim për qëndresën në këto nëntë javë grevë.
“Ato sot nuk deshën me ardh në emision, por mënyra se qysh janë organizu ka qenë frymëzuese edhe për neve aktivistëve e po besoj edhe për secilin punëtor që e ka përcjell këtë grevë. Ato nuk kanë pas nevojë për ndonjë organizatë të shoqërisë civile apo faktorë të jashtëm që të organizohen e mobilizohen. Ato e kanë kuptuar vetë shtypjen që ju bëhet nga kompania që i ka punësuar. Është shumë frymëzuese dhe qëndresa e tyre për këto nëntë javë grevë që po mbahen në kushte shumë të vështira. Tri gra janë shtruar në spital për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore dhe po presim të rikuperohen dhe të kthehen sërish në grevë”, ka thënë ai.
Sipas Hajdarit, kërkesat e punëtoreve janë të qarta dhe të drejta.
“Kërkesat janë të qarta dhe të drejta, kërkojnë pagë 550 euro dhe kushte të dinjitetshme për punë. Kompania e cila e ka fituar tenderin duke ofertuar më lirë e ka bërë në kurriz të punëtorëve, duke i keqpaguar ato. I paguan 275 euro, tashmë edhe nën pagën minimale”, ka shtuar Hajdari.