Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka deklaruar se nëse institucionet shtetërore të Kosovës nuk i realizojnë kërkesat e tyre, pasojat do t’i bartin vetëm këto institucione.
SBASHK-u dje mbajti grevë në gjithë vendin si masë të parë nëse qeveria nuk përmbush kërkesat e mësimdhënësve. Në emisionin SOT në KTV, Jasharaj ka thënë se kërkesë kryesore është që Ligji për vitet e 90-ta të dërgohet në qeveri, ndërsa ka kërkuar që të merren parasysh edhe vërejtjet e sindikalistëve për Ligjin për Paga.
“Uroj që populli ta kuptojë drejt. Po punohet për ata që dhanë gjithçka për arsimin në vitet e 90-ta. Uroj që këtë muaj qeveria të kalojë problemet dhe të bisedojë me ne. I garantoj prindërve, KMDLNj-së se më së shumti angazhohemi që të mos ketë grevë. Ne nuk kemi ku të shkojmë më. Ose të realizohen kërkesat ose fajin e kanë institucionet. Nga sot jemi të gatshëm që të bisedojmë për ligjin për vitet e 90-ta. Të gjitha kërkesat tona janë lehtë të realizuara. Sa i përket Ligjit për Paga s’po themi bëjini pagat më të larta se tjerët – bëni nivelizim të tyre”, është shprehur Jasharaj.
Jasharaj po ashtu i është përgjigjur këshillit të prindërve që ka thënë se pasojat më së shumti po i bartin nxënësit. Sipas Jasharajt, Greva është mjet legal dhe këtë duhet ta kuptojnë edhe prindërit edhe KMDLNj që pat reaguar kundër grevës së mësimdhënësve.
Jasharaj po ashtu ka bërë krahasim mes shpenzimeve të qeverisë për rrymën në veri dhe për shënimin e Vitit të Skënderbeut, duke thënë se nëse bëhen pagesa financiare pa planifikim pse të mos bëhen edhe shpenzimet e nevojshme për mësimdhënësit.
-
Jasharaj: Pagat e mësimdhënësve në Kosovë të jenë së paku sa të atyre në Shqipëri
-
SBASHK-u paralajmëron Qeverinë: Rritje pagash ose veprime sindikale, s’përjashtohet greva
-
SBASHK-u s’i përjashton protestat e grevat në shtator, e kritikon Qeverinë për mungesë dialogu
-
Jasharaj paralajmëron greva nëse kërkesat s'u përmbushen nga qeveria e re
-
SBASHK-u paralajmëron protestë