Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Jakurti: Paga minimale ka efekt indirekt te pagat tjera

Ekonomisti Edison Jakurti, ka thënë se paga minimale, ligji për të cilën është miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës, ka efekt indirekt te pagat tjera.

Në një intervistë dhënë “Interaktivit” të KTV-së, Jakurti ka treguar se cilat grupe i prek rritja e pagës minimale.

“Ndikimi që do ta ketë, pagë minimale në Kosovës marrin ata që janë në profesione shumë të shfrytëzuara e shumë keq të paguara, janë të rinjtë e shumë gra që punojnë në sektorë të shërbimeve e të gjithë ata që nuk kanë përvojë shumë të madhe, futen për herë të parë në tregun e punës, pra kjo mund t’i prekë disa grupe që kanë qenë deri tani shumë të cenuara në tregun e punës. Kjo nuk i prek direkt shumë persona që marrin pagë më të lartë, por në mënyrë indirekte ka efekt edhe te pagat tjera”, ka thënë ai.

Sipas tij, votimi i Ligjit për pagën minimale ka ndodhur me vonesë.

“E dimë që çmimet kanë ndryshuar e të gjitha statistikat ekonomike kanë ndryshuar, por paga minimale ka mbetur e njëjtë. Ky votim ka ardhur me vonesë, por megjithatë është më mirë vonë se kurrë. Pjesë e këtij ndryshimi është edhe lirimi nga tatimi deri në 250 euro të gjitha pagat në Kosovë janë liruar nga tatimi”, është shprehur ai.