Rudinë Jakupi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka thënë se Kosova akoma s’ka përfunduar punë me ekstremizmin e dhunshëm.
Në Express Intervistën në KTV, ajo ka thënë se ekstremizmi i dhunshëm ka ndërruar formë dhe se Kosova mund të përballet me rreziqe të ekstremizmit të tillë që mund të paraqitet në trende të reja.
“Mundemi me thanë që Kosova dhe vendet tjera të rajonit s’kanë përfunduar me ekstremizmin e dhunshëm, por ka ndërruar forma. Mund të themi që s’mund të ketë probleme me shkuarje në luftëra në ISIS apo vende të tilla sepse ata kanë humbur shumë territor, por problemet mund të na paraqiten në forma të reja, në trende të reja. Është problem me të cilin po përballet e gjithë Evropa”, ka thënë ajo.
Ajo ka folur për një projekt që QKSS ka implementuar në gjashtë komuna të vendit. Për këtë ka thënë se ka pas debate në trekëndëshin arsimtar-prind-nxënës që të rritet vetëdija për rreziqet e ekstremizmit të dhunshëm.
Sipas saj, ngritja e mendimit kritik për këtë dukuri është kyç në parandalim.
Duke folur për raportin që QKSS publikoi sot “Thyerja e miteve të ISIS-it- Si të kundërveprohet ndaj narratives së ISIS-it në internet? Rasti i shteteve shqipfolëse”, Jakupi ka thënë se kjo është pikë problematike e luftimit të ekstremizmit të dhunshëm. Sipas saj, llogaritë në rrjete sociale mund të mbyllen, por propaganda po vazhdon me llogari të reja.
“Narrativa online nuk është se ka ndryshuar shumë, por ajo që kemi vërejt ne është se nëse krahasojmë me vitet paraprake, një rol shumë më i madh i është dhënë grave. Risi ishte se u bëhet thirrje gati drejtpërdrejtë grave për të dalë në mbrojtje të idesë së kalifatit. Narrativa e ISIS-it mbetet e njëjtë. Në Kosovë e kontekstualizojnë duke folur kundër sistemit demokratik e bëjnë thirrje të mos u bashkohen zgjedhjeve e proceseve demokratike”, ka shpjeguar Jakupi.
Më tej ajo ka thënë se riintegrimi i atyre që kanë luftuar në krah të ISIS-it, është sfidë e madhe për vendin.
“Ajo që duhet të thuhet është se është sfidë jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin dhe BE-në riintegrimi i tyre. Mungojnë praktikat e mira. Politikbërësit dhe ata që e njohin këtë lëmi nuk pajtohen për risocializimin e këtyre personave e që duhet të ndodhë në një mënyrë ose tjetër, sepse ata duhet të kthehen nëpër vendet nga ku vijnë. Qeveria e Kosovës dhe ato rajonale janë zotuar se do të bëjnë diçka, por mbetet me u pa. Kryesisht që kanë mbet janë gra dhe fëmijë. Nëse jo tash, ndoshta dikur do të kthehen në Kosovë e duhet të ketë programe të rintegrimit”, ka përfunduar ajo.