Profesori i së drejtës ndërkombëtare dhe i të drejtave të njeriut, Kushtrim Istrefi, ka thënë se nëse Kosova do të anëtarësohet në Këshillin e Evropës atëherë përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët e zakonshëm.
Sipas tij, anëtarësimi në këtë organizatë e forcon procesin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Në aspektin e subjektivitetit të saj, kjo është organizata më e madhe që Kosovë do të hyjë deri më tani dhe është e rëndësishme të jetë anëtare e barabartë në një organizatë multilaterale, ku zëri i saj dëgjohet barabartë me shtetet e tjera dhe kjo do të krijojë mundësi shtesë edhe për anëtarësim në organizata të tjera. E forcon procesin e anëtarësimit edhe në Bashkimin Evropian. Përfituesit kryesorë do të jenë qytetarët e zakonshëm”, ka thënë Istrefi në “Interaktiv” të KTV-së.
Istrefi ka deklaruar se anëtarësimin në Këshillin e Evropës do të ndihmojë të konsolidohet më tej sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.
“Institucioni më i rëndësishëm në këtë Këshill është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Do të ndihmojë të konsolidohet tutje sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. Duke kuptuar tranzicionin që ka kaluar vendi ynë, kjo është tejet e rëndësishme për qytetarët”, ka thënë ai.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit 2022. Por duhet të kalojë disa procedura për ta finalizuar anëtarësimin.
-
Istrefi: QUINT-i ka vendosur kushtëzime të panatyrshme për anëtarësimin e Kosovës në KiE
-
Kurti në përvjetorin e KiE-së: Ky vit shënon plotësimin e kritereve nga Kosova
-
Zulfaj: Anëtarësimi në KiE të mos lidhet me dialogun, presim votim pozitiv
- Beteja me pasoja për Këshillin e Evropës
-
Nyja rreth anëtarësimeve