Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

ISHKPK e sheh alarmante situatën me aksidentet fatale, jep udhëzime për parandalim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dhënë disa rekomandime lidhur me parandalimin e aksidenteve fatale në komunikacion.

Ky institut thotë se po e përcjell me shqetësim situatën e aksidenteve në trafik, që vetëm sivjet kanë mbytur më shumë se 50 persona. Sipas IKSHPK-së, gjendja është alarmante dhe shumë shqetësues, sidomos për faktin se shumica e viktimave janë këmbësorë.

“Shkaqet janë të ndryshme por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke u respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, nga manipulimi i pasigurt me automjet, tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës, mos respektimi i shenjave të trafikut dhe mos përshtatja e kushteve të rrugës përdorimi i shpeshtë i telefonave mobil, vozitja nën ndikimin e alkoolit, substancave narkotike, ndikimi i lodhjes apo pagjumësisë, trajnimi joserioz gjatë dhënies së provimit për shofer, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet ngase akoma në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike, ku infrastruktura është problematike dhe drejtuesit e mjeteve janë të pakujdesshëm gjatë vozitjes. Qytetarët e Republikës së Kosovës janë të kërcënuar nga aksidentet e trafikut rrugor e sidomos është brengosës fakti se ndër viktima ka të përfshirë fëmijë”, thuhet në një reagim të IKSHPK-së.

Ky institut kombëtar ka dhënë disa rekomandime për parandalimin e aksidenteve fatale:

  • Përpilimi i një plani të veprimit për parandalimin e aksidenteve dhe aprovimi me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës.
  • Zbatimi me rigorozitet i Ligjit për komunikacionin deri në ndalesën e vozitjes për shkelje të rënda të përsëritura.
  • Me programe të ndryshme edukativo–informative të vetëdijesohen njerëzit e posaçërisht vozitësit për rolin e tyre në parandalimin e aksidenteve të cilat ndodhin si pasojë e gabimeve të tyre si dhe aftësimi për të ofruar ndihmën e parë.
  • Angazhimi i mas-mediave në kampanja të ndryshme që kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve.
  • Me fillimin e vitit të ri shkollor të sensibilizohet çështja e sigurisë së fëmijëve në komunikacion duke organizuar orë edukativo - arsimore për sjelljen e këmbësorëve në komunikacion, mësimi sistematik i rregullave të komunikacionit.
  • Largimi i menjëhershëm i automjeteve të vjetra nga qarkullimi, kontrolli teknik rigoroz i të gjitha automjeteve.
  • Kontrollimet mjekësore të rregullta, periodike dhe plotësuese me vlerësim rigoroz të shëndetit mendor.
  • Të rregullohet infrastruktura rrugore, të bëhet mirëmbajtja e rrugëve dhe të kompletohet sinjalizimi.
  • Drejtuesit e automjeteve t’i përmbahen me përpikëri shenjave të komunikacionit dhe kodit të mirësjelljes qytetare.
  • Inspektimi rigoroz i autoshkollave dhe kritereve për marrjen e patentë shoferëve.
  • Këmbësorët të respektojnë shenjat e komunikacionit.

Instituti paralajmëron se po që se nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së banorëve do të jetë enorme. “Andaj bëjmë apel te të gjithë qytetarët të kenë shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve sepse automjeti është armë vrasëse që merr viktima të pafajshme”.